Krasniqi për Asociacionin: Duhet të jetë në harmoni të plotë me Kushtetutën

Aktuale

Krasniqi për Asociacionin: Duhet të jetë në harmoni të plotë me Kushtetutën

Më: 15 maj 2023 Në ora: 20:20
Elbert Krasniqi

Lidhur me takimin në mes të dy kryenegociatorëve, atij të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ai serb, Petar Petkoviq, në Bruksel, ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi , foli, mes tjerash, edhe për draft-statutin e hartuar nga ekipi menaxhues.

Ministri Krasniqi, pasi shpërfaqi historikun e themelimit të ekipit menaxhues që ka qenë i ngarkuar të hartojë draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, tha se ai hartim ka qenë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, ngase, sikundër tha ai, parashihej të themelohej një “Republikë Srpska” në Kosovë, gjë që u kundërshtua nga kryeministri Kurti.

Ai më tutje, shtoi se me përpilimin e draft-statutit të Asociacionit, ai ekip menaxhues ka përfunduar mandatin e vet, derisa sqaroi arsyen e mosshkarkimit të atij ekipi para se ta dërgonte draft-statutin në Bruksel, duke theksuar se pala kosovare ka dashur të jetë konstruktive në këtë drejtim, ndërkohë që përmendi idenë e vizionit të kryeministrit Kurti për modelin kroat.

 “Secili veprim që do të merret do të ketë bazën Kushtetutën e Kosovës, nëse është në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës”, deklaroi ministri Krasniqi në “Info Plus”, në RTK.

Hapja e Urës

Vendimi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut për hapjen e urës së Ibrit, për qarkullim i makinave,  BE ka ndërhyrë, duke vlerësuar se për këtë duhet të merren vendime politike.

Lidhur me këtë çështje, ministri Krasniqi sqaroi veprimet dhe aktet e ndërmarra nga Kuvendi Komunal të Mitrovicës së Veriut, si një respektim i vullnetit të qytetarëve të Mitrovicës së Veriut.

Betimi i kryetarëve të rinj të komunave të veriut

Në takimin e sotëm që kryeministri Kurti pati me kryetarët e komunave, prezentë ishin edhe katër kryetarët e rinj, që u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme në veri të vendit.

Ministri Krasniqi sqaroi se me të katër kryetarët e zgjedhur ka diskutuar për respektimin e ligjeve dhe të proceseve për konstituimin e organeve lokale dhe dhënia e betimeve të kryetarëve të komunave, ku bëri të ditur se është bërë një ftesë nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut për kuvendin që do të mbahet e ku do të bëhet betimi i kryetarit të sapozgjedhur atje, që do të mbahet të premten, në ora 11:00.

“Edhe pse ato komuna i kanë specifikat e veta, megjithatë do të funksionojnë si komuna dhe do t’u ofrojmë bashkëpunim”, theksoi ministri Krasniqi në Info Plus.

Kërkesat urgjente të komunave

Në takimin e sotëm ku kryeministri Kurti zhvilloi me kryetarët e komunave të Kosovës, ndaj nivelit qendror patën një varg kërkesash, që ministri Krasniqi sqaroi se takimi i sotëm ishte në agjendën e qeverisë, një takim i zakonshëm, ku shpërfaqen idetë rreth bashkëpunimit mes nivelit lokal e atij qendror, teksa theksoi se kërkesat e kryetarëve të komunave që paraqitën në mbledhjen e sotme nuk përbën ndonjë lajm, ngase, sikundër tha ai, kërkesa të tilla ka pasur të përditshme.

Por, ndër kërkesat më kryesore ishin ato që nuk po gjejnë zgjidhje dhe nuk po arrijnë ndonjë marrëveshje në mes të ministrive përkatëse dhe komunave, më konkretisht, çështja e të hyrave vetanake, tatimit në pronë, etj., probleme që ministri Kransiqi, vuri në dukje edhe një herë, se për këto probleme është sqaruar edhe në takimin e sotëm nga ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili vuri theksin se çështja ka të bëjë me amendamentin e propozuar nga LDK e që duhet bërë ndryshimi i tij që të arrihet zgjidhja e duhur për këtë çështje.

“Edhe sot, kryeministri Kurti dhe ministri Murati ofruan mundësinë që kryetarët e komunave të ofrojnë kërkesën dhe nëse Asociacioni i Komunave të Kosovës dëshiron që të korrigjojë amendamnin e ofruar nga LDK, ne jemi të hapur dhe do ta trajtojmë”, deklaroi ministri Krasniqi, teksa shtoi se si qeveria është e përkushtuar ta mbështesë pushtetin lokal.

Ai përmendi mbështetjen në aspektin financiar, që në vitin e ardhshëm parashihet të jenë mbi 200 milionë euro më shumë se këtë vit.

Themelimi i Grantit 4

Ministri Krasniqi sqaroi se është i rëndësishëm ngase do të ketë regjistrim i popullsisë e që mund të bëjmë një planifikim ma të mirë. “Granit 4 është i rëndësishëm në planifikimin në nivelin lokal, ngase parasheh një mundësi shtesë të mbështetjes të projekteve  në nivel lokal”, ndërkohë që shprehu besimin se në vitin 2025 do të mund të zbatohet Granti 4, ashtu siç e kanë pasur edhe premtim elektoral.

Pronat në nivel lokal, kthimi i tyre nga AKP

Lidhur me pronat që deri më tani kanë qenë në kuadër të AKP-së, e që tani parashtrohet kërkesa nga komunat që ato t’u kthehen atyre, ministri Krasniqi, tha se si qeveri nuk kanë marrë asnjë pronë nga komunat, por kanë anuluar një vendim të pazbatueshëm dhe kanë hapur rrugën e komunave që këtë të drejtë ta realizojnë në bazë të ligjit mbi AKP-në dhe ligjin mbi Shpronësimet.

“Qeveria në këtë aspekt nuk ka bërë asgjë më shumë, veçse ka bërë zhbllokimin e një procesi të nisur më 2018”, sqaroi ministri Krasniqi.

E lidhur me aktivitetin e tij si ministër i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Krasniqi tha se aktualisht është duke u marrë me një reformë mbi ligjin mbi performancën, si dhe për qeverisjen lokale që, sikundër tha ai, është i bllokuar në Kuvend, pastaj platforma e-Kosova, etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat