Thaçi: Gjermanët ia vunë shtetësinë serbe djalit tim

Aktuale

Thaçi: Gjermanët ia vunë shtetësinë serbe djalit tim

Më: 16 maj 2023 Në ora: 23:36
Abdullah Thaçi

Më 7 mars të 2023-shit, Abdullah Thaçi u bë baba për herë të dytë, pasi në jetë erdhi biri i tij, Rigoni.

Në momentin kur provoi ta regjistrojë të birin e tij në komunën e Baden Wurttembergut, vërejti që në certifikatën e të birit të tij po figuronte edhe një nënshtetësi, të cilën ai kurrë nuk do të mendonte që do ta shihte në certifikatat e familjes së tij, raporton Kiks Kosova.

I biri i tij Rigoni, duke lindur si fëmijë i dy prindërve që tashmë kishin shtetësi gjermane, trashëgoi dy nënshtetësitë e prindërve të tij, gjermane dhe atë kosovare.

Por bashkë me to, atij i figuronte si nënshtetësi e tretë edhe ajo serbe.

I revoltuar me këtë fakt, Abdullahu iu drejtua zyrtarit administrativ në këtë komunë, i bindur se ata kishin gabuar.

Por e vërteta ishte ndryshe.

Sqarimet që ia dhanë atij nga përgjegjësi i komunës ishin se ligjërisht secilit fëmijë kosovar, prindërit e të cilit kanë edhe nënshtetësi gjermane, me automatizëm, i vihet ajo serbe.

Thaçi kërkoi që të fshihej nënshtetësia e tretë, por ata i shpjeguan se edhe po të donin ta bënin një gjë të tillë, sistemi nuk lejon.

Ata i referuan atij që t’u drejtohej autoriteteve kosovare për ta rregulluar këtë fakt.

Dhe Thaçi ashtu veproi.

Kontaktoi Konsullatën e Kosovës në Shtutgart, por ata nuk u befasuan pasi, sipas tij, ata po ballafaqoheshin çdo ditë me të njëjtat probleme.

Thaçi, i cili është i bindur se prapa kësaj gjëje fshihet ndonjë marrëveshje politike, ka sqaruar për KIKS-in se e kanë kontaktuar me familjarë të tjerë që janë përballur me problemin e njëjtë.

Ajo që më së shumti e brengos atë është fakti që nuk po mund të pajtohet se fëmijës së tij deri në moshën 16-vjeçare, do t’i figurojë shtetësia e Serbisë, ani pse si Abdullahu edhe gruaja e tij, Lorina, janë shqiptarë të Kosovës dhe vijnë nga Prizreni.

Thaçi, i cili fëmijën e parë e kishte regjistruar në Kosovë, për faktin se ende nuk e kishte fituar nënshtetësinë gjermane, thotë se atëkohë i biri i tij mori vetëm shtetësinë kosovare, ani pse kishte lindur në Gjermani, ai u regjistrua në vendlindjen e babait të tij në Prizren.

Pretendimet se shtetësia serbe iu vendos pasi ai ka mundur të kërkonte azil në këtë shtet, me ndonjë dokument të paraluftës, i hedh poshtë Thaçi.

Ai thotë se pasaportën e parë që e kishte nxjerrë ishte ajo e Republikës së Kosovës.

Thaçi kërkon nga autoritetet kosovare që të ulen dhe të diskutojnë në Gjermani, në mënyrë që fëmijët e tyre të mos bartin nënshtetësinë e një shteti, me të cilin prindërit e tyre kanë luftuar gjatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat