KDI: Kërkojmë nga kryetari i Kuvendit t’i publikojë emrat e deputetëve që po mungojnë

Aktuale

KDI: Kërkojmë nga kryetari i Kuvendit t’i publikojë emrat e deputetëve që po mungojnë

Më: 17 maj 2023 Në ora: 16:08
KDI

Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca që t’i publikojë emrat e deputetëve që po mungojnë nëpër seanca.

“Në këtë situatë kritike për Kuvendin, ne kërkojmë nga kryetari që të publikojë emrat e deputetëve që po mungojnë, por njëherët kërkojmë edhe nga qytetarët që të jenë më aktiv duke kërkuar llogaridhënie nga deputetët të cilët i kanë votuar”, ka thënë përmes një video-mesazhi hulumtuesja Violeta Haxholli.

Haxholli ka rikujtuar që një vendim i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2011 i obligon ligjvënësit të marrin pjesë nëpër seanca.

“Deputetët po imponojnë me faktin që funksioni i tyre është i pavarur dhe nuk mund të imponohet nga askush. Pra a do të thotë që të jesh i pavarur, mund të jesh i papërgjegjshëm. Kjo është sqaruar përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese më 2011, e cila në një vendim të atij viti, ka theksuar që deputetët janë të obliguar nga legjislacioni në fuqi për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit, e përveç kësaj janë të obliguar edhe ndaj zgjedhësve të tyre”, ka thënë Haxholli.

Vetëm në 3 muajt e parë të këtij viti, 3 seanca kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit dhe në 7 seanca të tjera nuk ka pasur kuorum për votim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat