Paralajmëron ish-kryeinspektori i AKI-së për situatën në veri, ja rreziqet

Aktuale

Paralajmëron ish-kryeinspektori i AKI-së për situatën në veri, ja rreziqet

Më: 17 maj 2023 Në ora: 17:52
Burim Ramadani

Rreziqet me të cilat është duke u përballur veriu i Kosovës, janë serioze.

Kështu e vlerëson situatën në këtë pjesë të vendit, ish-kryeinspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani.

Ramadani që njëherësh ishte zv/ministër i Mbrojtjes në një prononcim thotë se sundimi i ligjit në veri të Kosovës është i zbehtë.

“Rreziqet e sigurisë në veri janë serioze. Veriu është i destabilizuar. Shqetësimet për mundësitë e përshkallëzimit të gjendjes së sigurisë janë shqetësime legjitime. Sundimi i ligjit në pjesën e komunave në veri të Kosovës është i zbehur deri në nivel të ekzistimit të njëlloj kërkese që “atje të paktën të mbahet stabiliteti i sigurisë”! Kjo kërkesë, sikurse është e përditshme, në thellësinë e saj është edhe e padrejtë, edhe e pamundshme”, tha ai.

Ramadani thotë  se stabiliteti në veri është i pamundshëm për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme nga Serbia.

Ish-zv/ministri i Mbrojtjes konsideron se veprimet kriminale të Serbisë për ndërhyrje në veriun e vendit kanë për qëllim paralizimin e proceseve demokratike.

 “Kërkesa që veriu vetëm të mbajë stabilitetin e sigurisë është e pamundshme për shkak të ndërhyrjes direkte, të vazhdueshme, kriminale dhe politike të Serbisë, me qëllimin e paralizimit të proceseve demokratike. Derisa kjo ndërhyrje e Serbisë dhe Rusisë nuk ndalet, mbajtja e stabilitetit të sigurisë mbetet e sfiduar thellësisht”, thotë ai.

Ish-kryeinspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, njëherësh ish/zv.ministër i Mbrojtjes, tha se prezenca e grupeve kriminale tani në veri është e fuqishme.

Ai thotë se Komunat në veri po kalojnë fazë të ngërçit të përgjithshëm politik.

“Komunat në veri të Kosovës po kalojnë fazë të ngërçit të përgjithshëm politik, mbi të gjitha. Por, po ashtu prezenca e grupeve kriminale të ri-organizuara tashmë në veri është mjaft e fuqishme për të sfiduar demokracinë dhe sundimin e ligjit”, tha ai..

Ish-zv/ministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani thotë se gjendja e tanishme në veri është ashtu siç ka qenë pas shpalljes së Pavarësisë.

“Në anën tjetër, bojkoti politik etnik i serbëve lokalë atje, që ka ndodhur përmes kërcënimeve, presionit dhe shantazheve nga strukturat e sigurisë së Serbisë, ka rikthyer situatën e ngjashme me atë që ka qenë menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Normalisht që qytetarët e atjeshëm serbë lokalë gjendjen nën trysni të jashtëzakonshme edhe nga shteti i Serbisë, përmes strukturave të sigurisë, edhe nga grupet kriminale që synojnë përfitime të jashtëligjshme derisa i shërbejnë politikës së Beogradit”, u shpreh Ramadani.

Ai thotë se për situatën në veri, Kosova duhet të bashkëpunojë me shtetet aleate.

“Situata në veriun e Kosovës duhet të trajtohet me kujdesin e përbashkët me partnerët ndërkombëtarë, respektivisht NATO-n dhe shtetet aleate veç e veç. Sinkronizimi i planifikimit të veprimeve dhe zbatimit të tyre me partnerët ndërkombëtarë është garanci për vendosjen graduale por të sigurt të sundimit të ligjit në atë pjesë të Kosovës”, shprehet ai.

Kryetarët e rinj pritet të bëjnë betimin, ku edhe është paralajmëruar se do të ketë tension.

Por një gjë të tillë, nuk e thotë edhe ish-kryeinspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani.

“Tensionet e paralajmëruara, në fakt, besoj se nuk do të mund të realizohen nëse institucionet e Kosovës kanë arritur të koordinojnë veprimet në hollësi me NATO-n dhe partnerët veç e veç. Serbia nuk ka interes të atypëratyshëm të përshkallëzimit të situatës së sigurisë, por synon të mbajë veriun në ngërç duke e kërcënuar vazhdimisht me përshkallëzim të sigurisë”, u shpreh a.

Ramadani thotë se Serbia e raporton vazhdimisht Rusinë për veprimet që i bënë ndaj Kosovës.

“Rusia ka ndikim të jashtëzakonshëm në strukturat udhëheqëse të Serbisë, edhe në ato politike, edhe në ato të sigurisë. Më 23 shtator 2022, pra rreth 7 muaj pasi Rusia ka filluar luftën në Ukrainë, Serbia dhe Rusia kanë nënshkruar marrëveshjen për të “konsultuar” njëra-tjetrën për çështje të politikës së jashtme. Ju kujtohet kur Selakoviq dhe Lavror nënshkruan marrëveshjen, ndaj të cilës pati reagim të madh ndërkombëtar. Sigurisht, Serbia e konsulton në vazhdimësi Rusinë për veprimet ndaj Kosovës. Tek e fundit, kanë arritur marrëveshje për këtë gjë pak muaj më parë”, u shpreh ai.

Serbët në veri i kanë braktisur institucionet e Kosovës qysh nga nëntori i vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një plan të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.
Një nga kushtet që përmendin për kthimin në institucione është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq më 18 mars në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat