Bislimi: Nuk është koha e reagimeve me dykuptimësi - amulli kemi boll

Aktuale

Bislimi: Nuk është koha e reagimeve me dykuptimësi - amulli kemi boll

Më: 26 maj 2023 Në ora: 22:33
Faton Bislimi

Faton Bislimi, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, lidhur me ngjarjet e fundit në veri ka thënë se nuk është koha e "e reagimeve me dykuptimës" nga liderët politikë. Ai ka thënë se është koha për pozicionime të qarta dhe të vendosura kur është në lojë interesi kombëtar.

Bislimi thekson se ndërtesat dhe simbolet politike nuk tregojnë forcën e vendimmarrjes dhe efektshmërinë e pushtetit. Sipas tij, faktorët kyç që i përcaktojnë këto atributa janë zbatueshmëria dhe arritja e rezultateve në terren. "Ndërtesat nuk përcaktojnë as fuqinë e vendimmarrjes e as efektshmërinë e pushtetit. Këto atribute i përcakton zbatueshmëria në terren!", ka thënë ai.

Bislimi tutje thekson se reagimi duhet të jetë maksimal dhe vizionar kur kemi të bëjmë me një shtet të prirë për brutalitet e agresion. "E kur dihet fare mirë që kemi të bëjmë me një shtet të prirë për brutalitet e agresion, kriza e konflikte, dhe mbi të gjitha një shtet lojal të Putinit, që nuk heziton të katandisë krejt Ballkanin edhe njëherë duke u thirrë në "mbrojtjen e serbëve në veri të Kosovës," syçelësia jonë duhet të jetë maksimale dhe vizionare!", tha Bislimi.

Në këtë kontekst, Bislimi bën thirrje të kuptohet drejtë reagimi i ShBA-ve dhe situatës gjeopolitike. Ai inkurajon të hedhet një vështrim më i thellë. "Prandaj, ju lutem, kuptojeni drejtë reagimin e SHBA-ve. Kuptojeni drejtë situatën gjeopolitike. Shikoni pak matanë gardhit!", tha ai.

Sipas tij, veprimet tona në përputhje me këshillat miqësore amerikane nuk kanë sjellë asnjë dëm për Kosovën, por kanë sjellë fitore dhe do të sjellin sukses edhe në të ardhmen. "Asnjëherë veprimet tona sipas këshillave miqësore amerikane nuk kanë sjellë të këqija për Kosovën! Gjithëherë kanë sjellë fitore, si dje, sot ashtu do jetë edhe nesër!", pohoi Bislimi.

Bislimi insiston që të ruhet marrëdhënie dhe të shmangen rrugët e padëshiruara. Ai thekson se askush, përfshirë edhe Amerikën, nuk është kundër rendit të ligjit, por momenti politik është ai që përcakton suksesin. "Këtë marrëdhënje duhet ruajtë si sytë e ballit! Gjithëçka tjetër, druaj, se na dërgon në qorrsokak të padëshiruar!
Askush, as Amerika, nuk është kundër rendit e ligjit. Por është momentumi ai që në politikë përcakton suksesin!"

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat