​Shasha: Ndërkombëtarët duan zgjedhje menjëherë, ja masat që mund të marrë BE ndaj Kosovës

Aktuale

​Shasha: Ndërkombëtarët duan zgjedhje menjëherë, ja masat që mund të marrë BE ndaj Kosovës

Më: 5 qershor 2023 Në ora: 22:04
Drejtori i Institutit Epik, Demush Shasha

Drejtori i Institutit Epik, Demush Shasha vlerëson se mënyra si do të shkohet në zgjedhjet e reja në veri mund të sjellë një krizë të radhës. Sipas Shashës, komuniteti ndërkombëtar po kërkojnë zgjedhje të menjëhershme teksa kryeministri Kurti është më shumë i prirë që përmes nënshkrimeve të qytetarëve, të bëhet kërkesa për zgjedhje.

I ftuar në emisionin “Respublika” në Tëvë1, Shasha tha se të gjitha krizat që po shkaktohen në veri, janë si rezultat i pakënaqësisë së Serbisë me kufijtë momental të saj.

“Disa muajt e fundit po kalojmë nga kriza në krizë – nga letërnjoftimet, tek targat, tek arrestimi i një ish-polici serb, çdo aksion që bëhet në veri përkundër që s’ka asnjë element të marrëdhënieve etnike, pra aksione të rregullta për sundim të ligjit, ato shndërrohen në krizë. Pra as aksione të rregullta policore nuk mund të bëhen në veri pa u shndërruar në krizë. Të gjitha këto janë pasojat e një shkaku më të thellë dhe shkaku më i thellë është që Serbia nuk pranon ekzistimin e vet në kufijtë momental të saj”, ka thënë Shasha.

Shasha ka folur edhe për mundësinë e masave që Bashkimi Evropian mund t’i ndërmarrë ndaj Kosovës, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje për qetësim të situatës në veri.

“Se çfarë do të ndodhë nuk e dimë. Edhe në këtë fushën e ndërmarrjes së pasojave dhe implikimeve që dikur e arrijnë atë nivelin e sanksioneve ka hapa, ka përshkallëzime. Unë besoj që nëse institucionet e Kosovës nuk tregojnë vullnet për t’i dëgjuar këshillat e parterëve siç kalojnë ditët do të shohim përshkallëzim gradual të pasojave”, ka thënë Shasha.

Njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane ka treguar se cilat mund të jenë pasojat për Kosovën nëse nuk dëgjohen këshillat

“Do të shohim ndërprerje të shkëmbimeve të rregullta institucionale, në rrugëtimin tonë drejt BE-së do të shohim nga 1 korriku Kosovës do t’i pezullohet e drejta e pjesëmarrjes në programet e BE-së, do të shohim se do të anulohet takimi i ardhshëm i Këshillit për Stabilizim Asociim me Kosovën, do të shohim se pezullohet përkohësisht MSA, pezullohet përkohësisht aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe BE. Do shohim një përshkallëzim të hapave ku ata më radikal do të mbesin në fund”, tha ai në Tëvë1.

Pas zhvillimeve në veri, Kosova u përjashtua nga stërvitja ushtarake ndërkombëtare “Defender Europe ‘23”, këtë e bëri të ditur ambasadori amerikan. Ndërsa, që edhe nga BE u paralajmëruan ndëshkime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat