Lansohet projekti “NanoKos”

Aktuale

Lansohet projekti “NanoKos”

Më: 7 qershor 2023 Në ora: 13:57
fotografi nga lasnsimi i projektit

Në Fakultetin e Mjekësisë është lansuar projekti “Ngritja e kapaciteteve hulumtuese në Kosovë – Nanopartikulat në Mjedis dhe në Hulumtim Mjekësor – NanoKos”, projekt ky që financohet nga Bashkimi Evropian në vlerë prej 1 milion euro.
UP-ja, në këtë projekt, që koordinohet nga profesori Armond Daci, është partner i përbashkët me Universitetin e Mbretit në Londër (lider), Universitetin e Milanos dhe Universitetin e Parmës.

Gjatë këtij takimi u prezantuan aspektet e përgjithshme të projektit, përfshirë qëllimet e tij, perspektivat e partnerëve dhe qasjet drejt implementimit të tij.

Hapjen e takimit e bëri rektori Qerim Qerimi, duke iu uruar mirëseardhje të pranishmëve. “UP-ja do të përfitojë shumë nga ky projekt, i cili synon ngritjen e kapaciteteve hulumtuese, duke siguruar ambient dhe pajisje moderne për hulumtim, lehtësim të shkëmbimit të studentëve dhe stafit, me qellim të trajnimit të përbashkët, ofrimi i granteve për performancë dhe forma të tjera të mbështetjes,” tha rektori. Ai shtoi që UP-ja, së fundi, ka ngritur fondin për mbështetje të kërkimit shkencor dhe është duke punuar me dedikim të plotë në simulimin e të rinjve për hulumtim, duke ofruar edhe bursa për studentët e doktoratës dhe duke ngritur kapacitetet e laboratorëve.

Për rëndësinë e këtij projekti foli edhe dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, prof. Suzana Manxhuka–Kerliu, e cila theksoi që ky fakultet është një ndër njësitë akademike më atraktive për të rinjtë. “Ky projekt na ndihmon edhe në arritjen e objektivave kryesore të fakultetit tonë, të cilat, ndër të tjerash, janë: ndërkombëtarizimi dhe ngritja e kapaciteteve hulumtuese, duke qëndruar kështu si pikë reference për ekselencë, cilësi të lartë të studimeve dhe të praktikës klinike,” tha ajo.

Përkrahjen për projektin e shprehen edhe përfaqësuesit e institucioneve. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha që ministria që ai përfaqëson është jashtëzakonisht e interesuar që të kontribuojë në zhvillimin e kapaciteteve në fushën e nanopartikulave në mënyrë që kjo të reflektojë në një përmirësim të tërësishëm të situatës në mjedis. Rëndësinë e këtij projekti dhe përkrahjen në implementimin e tij e potencuan edhe zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Edona Maloku-Berdyna, dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës, znj. Liza Gashi.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat