Kurti: Qeveria po ofron mundësi për të gjithë të rinjtë tonë

Aktuale

Kurti: Qeveria po ofron mundësi për të gjithë të rinjtë tonë

Më: 7 qershor 2023 Në ora: 15:28
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në Konferencën WinforVET formula për përfshirjen sociale përmes promovimit të Edukimit, Punësimit dhe Barazisë gjinore.

Në fjalën e tij hyrëse, Kurti e filloi duke i përgëzuar dhe shprehur falënderimet e tij për, Agjencinë Austriake për Zhvillim, RomaVersitas, Roma Education Fund si dhe studentët, punëtorët, ndërmarrësit, mentorët dhe tutorët, për rezultatet e arritura dhe për angazhimin tyre për të drejtat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Sipas kryeministrit, falë mbështetjes së ofruar është arritur që 150 studentë të kenë pasur mundësi që të vazhdojnë studimet e tyre, të cilët me zhvillimin e karrierës së tyre kontribuojnë më shumë për shoqërinë tonë.

“50 persona tjerë janë kualifikuar përmes aftësimit profesional, të cilët do të jenë në gjendje të përfshihen në tregun e punës dhe të fillojnë punën, si dhe 40 praktikantë me pagesë, kanë përjetuar për herë të parë se si është bota e punës, duke përfituar njohuri dhe kontakte të reja dhe duke u dëshmuar edhe bizneseve dhe organizatave ku ishin të angazhuar se të gjithë përfitojnë nga diversiteti në ekipe”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti, u shpreh se si Qeveri po ofrojmë mundësi për të gjithë të rinjtë tonë, dhe ata që kanë përfituar nga iniciativat e krijuara nga WinforVET, për të vazhduar rrugëtimin e tyre profesional.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Kurti, theksoi se është mirënjohës për kontributin dhe angazhimin duke shpresuar për thellim dhe zgjerim të bashkëpunimit, dhe për realizimin e synimeve të përbashkëta./EO

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat