​Kurti: Dialogu për zbatimin e marrëveshjeve duhet të intensifikohet

Aktuale

​Kurti: Dialogu për zbatimin e marrëveshjeve duhet të intensifikohet

Më: 11 qershor 2023 Në ora: 15:41
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të intensifikojnë dialogun për zbatim të marrëveshjeve të 27 shkurtit në Bruksel dhe të 18 marsit në Ohër. Ai tha se ka nevojë për sekuencim të balancuar dhe fer të zbatimit të marrëveshjes bazike.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti deklaroi se Kosova i qëndron pas politikave dhe vlerave demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Por, sipas tij, rruga për shtensionim në veri, duhet të nisë me largimin e bandave kriminale nga atje.

Kurti: Kosova i qëndron pas SHBA-së dhe BE-së, politikës anti-Putin dhe në vlerat demokratike

“Kosova i qëndron pas SHBA-së dhe BE-së në tërë kuptimin e fjalës, politikës anti-Putin dhe në vlerat demokratike. Në këtë drejtim qeveria jonë është aleat i pakompromis. Rruga përpara për deskalim dhe normalizim nënkupton ndalimi i menjëhershëm i dhunës nga bandat kriminale ndaj policisë, NATO-s, gazetarëve dhe kryetarëve. Në përputhje me situatën e sigurisë, dhe largimin e këtyre bandave dhe arrestimin e tyre, prania e policëve do mund të zvogëlohej në mënyrë proporcionale. Dialogu për zbatimin e marrëveshjeve të 27 shkurtit dhe aneksit të zbatimit të 18 marsit në Ohër duhet të intensifikohet. Kemi nevojë për sekuencim të balancuar dhe fer të zbatimit të marrëveshjes bazike”, deklaroi Kurti.

Kurti derisa përmendi tërheqjen nga gara për zgjedhjet lokale në veri të Aleksandar Jabllanoviqit, pranoi se nuk e ka menduar asnjëherë që Lulzim Hetemi mund të bëhet kryetar i Leposaviqit.

Kurti: Askujt nga ne nuk ia mori mendja që Lulzim Hetemi do të bëhet kryetar i Leposaviqit

“Tash në veri të Kosovës ka shumë më tepër policë se që ka pasur përpara. Dhe jo vetëm kaq. Zgjedhjet u mbajtën, sepse ata që i braktisën institucionet, i bojkotuan zgjedhjet, dhe madje i kërcënuan ata që donin të merrnin pjesë në to. Askujt nga ne nuk ia mori mendja që Lulzim Hetemi do të bëhet kryetar i Leposaviqit. Mund të kemi menduar për të tjerët por jo për Lulzim Hetemin, sepse vetëm me datën 21 prill, u bë e qartë se atje nuk do ta kemi fituesin e sigurt Aleksander Jabllanoviqin. Dy ditë para zgjedhjeve, ai doli nga fushata dhe iu bashkëngjit qëndrimit të Listës Serbe, përkatësisht të Beogradit”, tha Kurti.

Duke folur për gjendjen në veri, kryeministri, Kurti u shpreh se deri në zgjedhjet e hershme në komunat veriore, kryetarët e tanishëm duhet ta ushtrojnë detyrën nga zyret e tyre.

Kreu i ekzekutivit bëri thirrje po ashtu serbëve të marrin pjesë në zgjedhje.

Kurti: Ne e kuptojmë se kryetarët e rinj kanë marrë pak vota, po të tjerët s’kanë marrë aspak vota

“Ne e kuptojmë se kryetarët e rinj kanë marrë pak vota, po të tjerët s’kanë marrë aspak vota. Në anën tjetër komuniteti serbë besoj se e kupton qartë se ata duhet të dalin në zgjedhje, dhe jo të bojkotojnë. Zgjedhjet duhet të jenë të lira e demokratike, me fushatë fer dhe të hapura, pa frikë, pa kërcënime, pa banda kriminale”, ka theksuar Kurti.

Mes tjerash, ai tha se ndërtesa e komunës duhet të jetë për kryetarët e komunave. Ai tha se objektet komunale janë ndërtesa që i përkasin Republikës së Kosovës dhe jo të një etnie.

Kurti: S’është e drejtë të insistohet se në komunat veriore duhet vetëm kryetarë serbë

“Në Mitrovicë, Atiq po e konsolidon kabinetin e tij. Drejtorët nuk i ka vetëm shqiptarë, por edhe serbë dhe boshnjakë. Edhe kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi e ka një nënkryetare serbe, ashtu si në Zveçan. Unë e kam ministër, Nenad Rashiqin dhe kam bashkëpunim të mirë. Nuk është e drejtë të insistohet nga kushdo qoftë që në komunat veriore duhet të ketë vetëm kryetarë serbë dhe të hyhet në ato ndërtesa. Ndërtesat janë të Republikës, nuk mund të jenë të ndara për funksionim sipas përkatësisë etnike. Nuk ka asnjë ndërtesë publike, në Republikën e Kosovës ku mund të hyjë vetëm një etni. Ndërtesat vetëm për një etni janë segragacion, aparteid. Këtë e kemi përjetuar shumë e gjatë në shekullin XX, nuk duam ta përjetojmë në këtë shekull. Jo për inat të ndokujt, por për hirë të Republikës”, tha Kurti.

Kryetari i LVV-së tha se dhuna në veri zgjati për dy ditë e gjysmë, derisa shtoi se dhuna në komunat veriore, zgjat për aq sa janë urdhrat e Beogradit.

Kurti: Ditë të qeta në veri të Kosovës janë ato ditë ku nuk ka urdhër për dhunë nga Beogradi

“Ditë të qeta në veri të Kosovës janë ato ditë ku nuk ka urdhër për dhunë nga Beogradi. Kjo tregon shumë qartë raportin shkak-pasojë të gjendjes në të cilën jemi”, shtoi Kurti.

Duke folur për kryetarët e komunave veriore, Kurti mes të qeshurave tregoi edhe një bisedë që kishte me kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin.

Kurti: Isha i shqetësuar mos po lëshon pe Hetemi, ai ishte i shqetësuar mos po lëshoj pe unë

"E thirra në telefon dhe bisedova me kryetarin e komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin, dhe kur e thirra kisha pak brengë se mos është mërzitur aty në zyre, por teksa isha i brengosur mos është mërzitur, ai ishte i brengosur mos isha mërzitur unë. Kështu, unë isha i shqetësuar mos po lëshon pe ai, ai ishte i shqetësuar mos po lëshoj pe unë. Prandaj biseda në vazhdim ishte shumë e këndshme", tregoi Kurti.

Gjatë mbledhjes, edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci falënderoj kryetarët e komunave veriore për rezistencën dhe guximin e treguar gjatë këtyre ditëve, policinë për gatishmërinë, dhe gazetarët që në kohë reale kanë raportuar në këto komuna për zhvillimet.

Ndërkaq, kryeministri Kurti paraqiti të arriturat që kanë bërë si parti.

Po ashtu, ai pati edhe një mesazh për rininë. Kurti tha se duhet punuar më shumë për të rritur përgatitjen profesionale, kulturore e politike. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat