“Drafti i Ramës, goditje pas shpine e Shqipërisë për qeverinë Kurti dhe Kosovën”

Aktuale

“Drafti i Ramës, goditje pas shpine e Shqipërisë për qeverinë Kurti dhe Kosovën”

Më: 13 qershor 2023 Në ora: 07:47
Albin Kurti dhe Edi Rama

Për profesorin e Shkencave Politike Medlir Mema drafti për Asociacionin e komunave serbe që kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka dërguar në zyrat e Olaf Scholz dhe Emannuel Macron është problematik dhe një goditje pas shpine për homologun e tij Albin Kurti.

Mema në një lidhje ‘Skype’ për emisionin “DEBAT” në A2CNN tha se nuk mund të quhet asesi kontribut në favor të zgjidhjes së konflikti Kosovë-Serbi kjo lëvizje e Ramës, për të cilën theksoi se është e dënueshme.

Sipas profesorit, në qeverinë e Kosovës dhe te Lëvizja Vetëvendosje ka pasur zëra që e kanë konsideruar draftin një akt tradhtie ndaj Kosovës, ndërsa nënvizoi se përpjekja e Ramës për protagonizëm nuk shkon në favor të çështjes shqiptare në rajon, e aq më pak Kosovës.

“Përgjigja është jo dhe jo, Nuk është një kontribut dhe nuk është absolutisht i vlefshëm. Nuk mund të flas për përmbajtjen që është konfidenciale, por kohën kur është propozuar dhe mënyrën sesi Rama i është qasur çështjes. Në të dyja rastet është problematike. Është problematike për zotin Kurtin përsa kohë minon pozicionin e tij në momente delikate kur është midis Serbisë në një anë dhe komunitetit ndërkombëtar në krahun tjetër. Të vjen edhe një grusht nga pala shqiptare, për mua është shumë problematike. Veprimi i tij është i pakëshillueshëm, në fakt i dënueshëm. Shihet si një akt tradhtie. Ne e kemi përcaktuar si një goditje pas shpine, mossokordinimin me zotin Kurti një veprim të kësaj natyre.

Aleati më i fortë i Kosovës në rajon që është Shqipëria, t’i kthehet mbrapsht dhe të minojë çdo veprim diplomatik të Kosovës në drejtim të Asociacionit, që është kaq delikate për këtë vend është një grusht i panevojshëm. Ka pasur persona edhe brenda qeverisë së Kosovës që e shohin si akt tradhtie, e kanë thënë që nuk na duhej ky në këtë moment na ka hapur probleme shumë të mëdha.

Jam dakord që tradhtia është fjalë e rëndë, por ky është një grusht i rëndë ndaj Kurtit, qeverisë së tij por edhe ndaj Kosovës dhe interesave të Kosovës në rajon. Nuk ishte veprim në interes të shqiptarëve. Shqetësimi kryesor është se çfarë i bën ky veprim interesit të shqiptarëve në rajon.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat