Anëtari që dha dorëheqje nga LDK-ja takohet me drejtorin e CIA-s

Aktuale

Anëtari që dha dorëheqje nga LDK-ja takohet me drejtorin e CIA-s

Nga: A.Zh Më: 13 qershor 2023 Në ora: 11:11
Faton Bislimi dhe William Burns

Ish-anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës Faton Bislimi, ka takuar drejtorin e CIA-s William Burns.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se ishte nder i veçantë takimi me Burns, pasi sipas tij, është madhështore që kemi SHBA-në në anën tonë, përcjell Bota sot.

Sipas tij, adresa e vetme e një të ardhme të sigurtë për Kosovën është Washingtoni.

“Ndjenjë e papërshkrueshme të takoja Drejtorin e CIA, z. William Burns, një lider që gëzon respektin e padiskutueshëm të të dyja taborreve politike në SHBA. Një njeri që mbi tri dekada rresht ka shërbyer në Shërbimin e Jashtëm Amerikan, dhe llogaritet si njëri nga njerzit më të afërt e të besueshëm të Presidentit Biden me të cilin ka punuar një çerekshekulli.

Drejtori Burns u nderua me Çmimin e Shërbimit të Jashtëzakonshëm Publik në Samitin e Lidershipit mbi Politikën e Jashtme Amerikane dhe ishte nder i veçantë të isha i ftuar në këtë ceremoni!

Frikësoj se nganjëherë nuk jemi të vetëdijshëm sa madhështore është të kemi SHBA-të në anën tonë!

Gjatë këtyre tri ditëve, nga takimet me zyrtarë kyç të Shtëpisë së Bardhë, Departamentit të Shtetit, dhe Kongresit, dhe me shefin e CIA, vetëm sa më është sforcuar bindja se kombi ynë dhe veçanërisht shteti ynë janë më shumë se me fat për miqësinë unike me SHBA-të e cila për asnjë çmim nuk duhet të sfidohet e aq më pak të lëndohet!

Nuk mund të mos e them se jam ndjerë krenar me mundësinë për t'i takuar këta njerëz. Të kesh derën hapur në Washington është vlerë pa çmim! Adresa e vetme e një të ardhme të sigurtë për ne është Washingtoni!”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Kujtojmë se Bislimi ditë më parë ka dhënë dorëheqje nga kryesia e LDK-së, për shkak të pakënaqësisë në parti./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat