Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, reagon senatori amerikan

Aktuale

Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, reagon senatori amerikan

Më: 13 qershor 2023 Në ora: 17:44
Chris Murphy dhe Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.

Senatori amerikan, Chris Murphy, është shprehur i pakënaqur me faktin se Kosova dhe Serbia janë kthyer pas në rrugën e tyre drejt normalizimit të marrëdhënieve, pas zhvillimeve të fundit në komunat veriore. Mesazhi i tij ishte i qartë, që të dy liderët të bëjnë hapat e duhur për t’u kthyer në kornizë të veprimeve të nevojshme për të siguruar paqen – si fillim, Kurti ta themelojë Asociacionin, Vuçiq mos ta pengojë Kosovën të anëtarësohet në strukturat ndërkombëtare.

Në një intervistë në Atlantic Council, senatori Murphy tha se vendimet e tridhjetë ditëve të fundit nga kryeministri Kurti, në veri të Kosovës, kanë vënë në rrezik të panevojshëm trupat e SHBA-ve dhe të NATO-s.

Kjo, tha Murphy, nuk do t’i bëjë mirë Kosovës në aspektin e fondeve nga ndërkombëtarët.

“Kur kryeministri Kurti vendosi të mbajë zgjedhjet në veri të Kosovës, kishte kuptim të bëhej betimi, por thjesht nuk besoj se ishte e nevojshme që ta shtynte një kryetar të caktuar komune që të kishte qasje në ndërtesën komunale të cilën qeveria e Prishtinës e dinte se do ta niste një reagim, që eventualisht do të bëhej i dhunshëm. Mendoj se vendimet në Prishtinë tani po i rrezikojnë pa nevojë forcat e NATO-s. Kjo është diçka që Kongresi nuk do të jetë kurrë i interesuar të financojë – trupat amerikane, trupat e NATO-s të vihen në rrezik të panevojshëm”.

“Ne pamë shumë përparim dhe premtim me marrëveshjen e Ohrit me synimin për të përcaktuar rrugën në të cilën Serbia dhe Kosova mund të udhëtojnë për të arritur normalizimin. Tani jemi, me vendosmëri, larg nga kjo rrugë, dhe është në duart e SHBA-së dhe Evropës dhe qytetarëve të të dy vendeve të kërkojnë që ne t’i kthehemi planit, t’u kthehemi koncesioneve që janë të nevojshme këtu, Kosova duke themeluar Asociacionin, dhe Serbia duke mos i penguar Kosovës që të fitojë njohje ndërkombëtare. Ne duhet të jemi në gjendje të kthehemi në rrugën e duhur”, tha tutje Murpy.

Sipas senatorit amerikan, është mirë për Kosovën dhe popullin e saj që të ketë marrëdhënie të mira me Serbinë. Vetëm kështu, tha ai, Kosova do të mund të anëtarësohet në NATO dhe BE.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që kryeministri Kurti të marrë vendime të vështira për të fituar paqen dhe për të hyrë në rrugën e normalizimit me Serbinë. Kjo është mirë për popullin e tij, është mirë për Kosovën që të ketë marrëdhënie më normale me Serbinë. Është mirë që Kosova të jetë në gjendje të aplikojë me mirëbesim për anëtarësim si në NATO ashtu edhe në BE, gjë që nuk mund të ndodh nëse Kosova vazhdon të ketë këtë marrëdhënie përçarëse me Serbinë”, deklaroi Murphy.

“Mesazhi është i thjeshtë, zgjedhësit e mi nuk do të jenë aq të gatshëm të dërgojnë para në rajon nëse nuk shohin se liderët marrin hapat e arsyeshëm të nevojshëm për të ruajtur paqen”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat