Deklarohet Qeveria për arrestimin e tre shtetasve të Kosovës në vendkalimin kufitar në Merdar nga policia serbe

Aktuale

Deklarohet Qeveria për arrestimin e tre shtetasve të Kosovës në vendkalimin kufitar në Merdar nga policia serbe

Më: 14 qershor 2023 Në ora: 16:29
Përparim Kryeziu

Tre shtetas të Republikës së Kosovës të martën janë arrestuar nga Policia e Serbisë në vendkalimin kufitar në Merdar.

Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili  tha se për këtë është njoftuar edhe Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi.

Sipas tij, nga të dhënat e deritanishme fjala është për dy qytetarët nga Komuna e Podujevës, ndërsa për të arrestuarin e tretë ende nuk kanë të dhëna rreth identitetit të tij.

“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është njoftuar lidhur me arrestimin edhe të tre shtetasve të Republikës së Kosovës nga policia e Serbisë gjatë kalimit në Serbi, në vendkalimin kufitar në Merdar. Nga të dhënat e deritanishme fjala është për dy qytetarët nga Komuna e Podujevës, ndërsa për të arrestuarin e tretë ende nuk kemi të dhëna rreth identitetit të tij”, ka thënë Kryeziu.

Tutje ai tha se dy prej tyre u është caktuar masa e paraburgim prej 48 orësh në Qendrën e Paraburgimit në Prokuple. “Arsyet e arrestimit nuk dihen”, tha Kryeziu.

Ai tha se “në lidhje me këtë, nga Zyra jonë Ndërlidhëse, është njoftuar delegacioni i BE-së në Serbi si dhe përfaqësuesit e misioneve diplomatike të vendeve partnere të akredituara në Serbi. Për këtë çështje do të kemi takimeve me zyrtarët e BE-së dhe me përfaqësuesi të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, të Mbretërisë së Bashkuar dhe të vendeve tjera partnere”.

Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës po ashtu tha se si Qeveria do të vazhdojnë përpjekjet për të marrë sa më shumë informacione dhe për të adresuar sa më parë këtë çështje.

“Sado që është sjellje e vjetër dhe e përsëritshme e Serbisë, ajo vazhdon të jetë e papranueshme. Kjo i shtohet dëshmive të njëpasnjëshme se Serbia nuk është aspak dhe asnjëherë e interesuar për marrëdhëniet fqinjësore. Si Qeveri, nëpërmjet Zyrës sonë Ndërlidhëse në Serbi, do t’i vazhdojmë përpjekjet për të marrë sa më shumë informacione dhe për të adresuar sa më parë këtë çështje. Tashmë Zyra jonë atje ka bërë kërkesë që t’u lejohet vizita e tyre”, ka thënë Kryeziu për Telegrafin. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat