Konjufca: Me rrëmbimin e policëve, Serbia hodhi poshtë në mënyrë të rrezikshme marrëveshjen e Ohrit

Aktuale

Konjufca: Me rrëmbimin e policëve, Serbia hodhi poshtë në mënyrë të rrezikshme marrëveshjen e Ohrit

Nga: M.L. Më: 14 qershor 2023 Në ora: 17:56
Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e ka dënuar aktin e rrëmbimit të tre policëve kufitarë të Republikës së Kosovës nga xhandarmëria serbe.

Konjufca në një postim në Facebook ka shkruar se ky akt i cenimit të sovranitetit dhe sigurisë së Kosovës nga Serbia është tregues i qartë se kush dëshiron të nxisë tensione në mes dy vendeve.

“Në kohën kur qeveria e Kosovës po del me propozime për t'i gjetur zgjidhje destabilizimit të shkaktuar nga grupet kriminale të mbështetura nga Beogradi, Serbia dëshmon nuk është e gatshme për asnjë zgjidhje”, shkroi mes tjerash kreu i Kuvendit.

Postimi i plotë:

E dënoj aktin e rëndë të rrëmbimit të tre policëve kufitarë të Republikës së Kosovës nga xhandarmëria serbe.

Ky akt i cenimit të sovranitetit dhe sigurisë së Kosovës nga Serbia është tregues i qartë se kush dëshiron të nxisë tensione në mes dy vendeve. Në kohën kur Serbia do duhej të urdhëronte bandat kriminale në veri të Kosovës që të tërhiqeshin nga përpjekja për destabilizim të rendit në katër komunat veriore të Kosovës, ajo vazhdon më tutje duke i përfshirë formacionet zyrtare policore në cenimin e integritetit territorial të Kosovës.

Në kohën kur qeveria e Kosovës po del me propozime për t'i gjetur zgjidhje destabilizimit të shkaktuar nga grupet kriminale të mbështetura nga Beogradi, Serbia dëshmon nuk është e gatshme për asnjë zgjidhje. Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këto akte agresioni kundrejt Kosovës. Lirimi i menjëhershëm i tre policëve të Kosovës është ultimativ.

Me këtë akt, Serbia në mënyrë të hapur dhe tepër të rrezikshme e ka hedhur poshtë marrëveshjen bazë të normalizimit të marrëdhënieve të pranuar në Ohër dhe Bruksel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat