Kurti: Kemi shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë

Aktuale

Kurti: Kemi shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë

Më: 15 qershor 2023 Në ora: 09:43
Kamionët e parkuar në Merdare në anën e Serbisë në mëngjesin e 16 qershorit.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, me kryeministrin e vendit që tha se "synimi ynë është siguria, e siguria fillon te kufijtë".

"Për arsye të sigursië, si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet ndaj automjeteve që vinë nga Serbia, sidomos ato transportuese", u shpreh ai.

Ekipet e Radios Evropa e Lirë në Jarinjë dhe Merdare raportojnë se automjete me targa të Serbisë janë duke hyrë në Kosovë pa pengesë, me kontrolle të shtuara.

Megjithatë, kamiont nuk janë duke kaluar.

Kurti këto komente i bëri gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, e cila u mbajt pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku morën pjesë autoritetet e institucioneve të sigurisë, drejtësisë dhe financave të Kosovës, pasi një ditë më parë, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit.

Qeveria e Kosovës i bën thirrje faktorit ndërkombëtar të dënojë veprimet e Serbisë

Duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë për të cilët Prishtina pohon se janë rrëmbyer nga forcat policore të Serbisë, Kurti i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar për të dënuar veprimet e Serbisë, dhe tha se është “i habitur nga heshtja e tyre”.

"Rasti i djeshëm ishte agression ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës që po lufton krimin dhe intencë për eskalim dhe destabilizim në kohën kur ne tashmë kemi propozuar planin 5-pikësh për de-përshkallëzim dhe stabilizim", tha kryeministri.

Sveçla në këtë konferencë i ka quajtur “akte kriminale” veprimet e Serbisë, duke thënë se “rrëmbimi i policëve është një incident jashtëzakonisht i rëndë”.

“Ky akt kriminal duhet të dënohet ashpërsisht nga faktori ndërkombëtar sepse përfaqëson një shkelje të rëndë dhe shfaq edhe njëherë fytyrën e vërtetë të Serbisë”, tha Sveccla duke bërë thirrje “urgjente për lirimin e policëve”.

Policia e cilësoi këtë si "kidnapim klasik të organizuar" brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.

Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur ata dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

Këto zhvillime po ndodhin në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.

Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat