Mehaj: Komuniteti ndërkombëtar t’i dënojë veprimet e Serbisë

Aktuale

Mehaj: Komuniteti ndërkombëtar t’i dënojë veprimet e Serbisë

Më: 15 qershor 2023 Në ora: 10:26
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që t’i dënojë veprimet e Serbisë, pas zhvillimeve të fundit në Kosovë.

Ministri gjithashtu ka kërkuar nga ndërkombëtarët që t’iu qëndrojnë deri në fund palëve prapa, sipas gatishmërisë së tyre përkatëse drejt gjetjes së rrugëve të de-përshkallëzimit të situatës në veri të vendit.

“Përballë zhvillimeve të fundit në vend, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e saj të sigurisë, janë të përkushtuara për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë si në veri të vendit, ashtu edhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

“Bashkë me policinë e Kosovës dhe me të gjithë komponentët e sigurisë, vendorë dhe ndërkombëtarë, shteti i Kosovës do ta ruajë kompaktësinë e veprimeve në mënyrë racionale, përmes rrugësh institucionale dhe me qasje koordinuese gjithëpërfshirëse”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Ai tutje ka thënë se Kosova ka dalzotësit e saj dhe se është e mbrojtur nga djem dhe vajza brenda dhe jashtë institucioneve.

“Kosova mbetet e pacenueshme dhe e vendosur në përpjekjen e saj legjitime dhe të drejtë për shtrirjen e sovranitetit dhe për të mbrojtur si territorin ashtu edhe qytetarët e saj. Veprimet e autoriteteve serbe janë manifestim i politikave agresore dhe hegjemone të Serbisë autoritare dhe pro-ruse në Ballkan. Çdo përpjekje për de-përshkallëzim duhet të llogarisë edhe mungesën e vullnetit të Serbisë për këtë dhe veprimet e saj provokuese dhe nxitëse”, ka përfunduar ministri Mehaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat