​Letra e Borrellit, Kurti: Edhe Jabllanoviq po të ishte kryetar do ta mbroja me polici

Aktuale

​Letra e Borrellit, Kurti: Edhe Jabllanoviq po të ishte kryetar do ta mbroja me polici

Më: 15 qershor 2023 Në ora: 10:34
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur edhe për letrën që Borrell i ka kthyer lidhur me kërkesat e tij për shtensionimin e situatës në veri, ku ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare të merret me arsyet e tërheqjes së Aleksandër Jabllanoviqit nga gara për kryetar të Leposaviqit.

Lidhur me deklaratën e Borrellit se një takim i ri në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk mund të organizohet para se Kosova të ndërmarrë hapa për të shtensionuar situatën, Kurti përsëriti se prania e Policisë së Kosovës në veri do të reduktohet vetëm kur të largohet grupet kriminale nga atje.

Ai ka theksuar se sikur Jabllanoviq të mos kërcënohej për t’u tërhequr nga gara, sot do të ishte kryetar të cilin do ta mbronte njëjtë, me Polici.

Kurti: Po të ishte Jabllanoviqi kryetar komune do ta mbroja njëjtë me Polici

“Problem është që Jabllanoviqi doli nga fushata. Të gjithë ndërkombëtarëve unë iu sugjeroj që të merren sesi doli Jabllanoviqi nga fushata. Ai ka qenë fitues i sigurt, ne kemi qenë të gatshëm ta pranojmë si kryetar komune. Po të ishte Aleksandër Jabllanoviqi kryetar komune, unë njësoj me polici do ta mbroja Aleksandër Jabllanoviqin nga sulmet e kësaj milicie fashiste atje, të këtyre ekstremistëve të dhunshëm, me të cilët kurrë nuk dua t’i barazojë qytetarët serbë. Ata janë në hall edhe më shumë se ne në hall me ta, sepse i kanë më afër”, ka thënë ai.

Ai theksoi po ashtu se dhuna më e madhe nuk është bërë në Leposaviq ku është kryetari, porse në Zveçan ku nuk ka pasur kryetar në objektin komunal.

Kurti: Jam i gatshëm për dialog, por në Kosovë ‘ligj dhe Kushtetutë’

“Unë nuk mund të shndërrohem në shkelës të ligjit këtu në Kosovë. Në dialog i gatshëm, i përkushtuar, por në Kosovë ligj dhe Kushtetutë... Vetëm kur të kemi sundim të ligjit që i largon këto grupe kriminale në mënyrë graduale dhe proporcionale do të mund ta zvogëlonim ne praninë e policisë tonë në këto ndërtesa”, u shpreh ai.

Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i është përgjigjur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për planin pesë pikësh për uljen e tensioneve në veri. Ai ka thënë se “një takim i ri në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk mund të organizohet para se Kosova të ndërmarrë hapa për të shtensionuar situatën”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat