​Krasniqi: S’mund të sillemi normalisht me tre policë të rrëmbyer

Aktuale

​Krasniqi: S’mund të sillemi normalisht me tre policë të rrëmbyer

Më: 15 qershor 2023 Në ora: 12:14
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar që kryeministri Albin Kurti të raportojë në Kuvend në lidhje me situatën e sigurisë në vend. Krasniqi tha se nuk mund të sillemi normal kur ka pasur përshkallëzim të situatës në veri të Republikës.

Krasniqi u shpreh se prioritet i prioriteteve duhet të jetë kthimi i tre policëve të cilët janë rrëmbyer gjatë së mërkurës e që për kreun e PDK-së përbën një akt agresioni ndaj Republikës së Kosovës.

Krasniqi: Prioritet mbi prioritete kthimi i policëve

“Situata në vendin tonë nuk është normale andaj besoj që ne s'mund ta luajmë normaliteitn, as jetën institucionale, as veçanërisht Kuvendin e Kosovës. Dje ka ndodhur përshkallëzim i situatës së sigurisë, rrëmbimi i tre policëve të Kosovës është një akt agresioni kundër Republikës sonë, është paekuivoke shkelje e sovranitetit dhe integritetit territorial. Në këtë moment përtej qëndrimeve e vlerësimeve të kujtdo, prioritet i prioriteteve duhet të jetë kthimi i policëve tonë në Kosovë dhe pranë familjeve të tyre duke garantuar shëndetin e sigurinë e tyre”, deklaroi Krasniqi.

Krasniqi i kërkoi kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, që të thërrasë kryeministrin në një seancë në çfarëdo kohe gjatë ditës së sotme.

Krasniqi: Të jemi në nivelin e përgjegjësisë

“Nuk është e mundur që ne të sillemi sikur se asgjë s'ka ndodhur që të mblidhemi këtu e të vazhdojmë seancat e mbetura që të bëjmë manifestime normale kur i kemi tre policë të rrëmbyer, kur kemi akt agresioni të Serbisë kundër Kosovës, na takon si Kuvend, si deputetë, si përfaqësues të qytetarëve, si përfaqësues edhe të atyre tre policëve që të jemi në nivelin e përgjegjësisë që ta kemi kryeministrin këtu, që të vijë të na informojë e të njoftojë sepse kjo situatë kërkon një sjellje tjetër”, vijoi Krasniqi.

Aktualisht, Kuvendi i Kosovës është duke zhvilluar seancë me pikat e prapambetura nga seancat e kaluara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat