Halimi: Shqetësuese paraqitja arrogante e Kurtit, mllefi ndaj gazetarëve është i patolerueshëm

Aktuale

Halimi: Shqetësuese paraqitja arrogante e Kurtit, mllefi ndaj gazetarëve është i patolerueshëm

Më: 15 qershor 2023 Në ora: 12:17
Zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të LDK-së, Sibel Halimi

Zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të LDK-së, Sibel Halimi ka reaguar lidhur me paraqitjen e sotme të kryeministrit Kurti dhe qasjen e tij ndaj gazetarëve që ishin prezent në konferencë për media.

Halimi thotë se është shqetësuese një paraqitje e tillë e kryeministrit, të cilën e ka quajtur edhe si “arrogante”.

Ajo ka përmendur edhe vendimin për heqjen e licencës për televizionin Klan Kosova, duke cituar fjalët e Sekretarit Gjeneral të Federatës Europiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez, i cili e ka quajtur “ditë zie” për Kosovën.

Halimi tutje ka thënë se është e domosdoshme që Kosova të koordinohet me aleatët dhe jo që t’iu jepen leksione atyre. Sipas zëdhënëses së LDK-së, dëmi i raportit të Kosovës me partnerët është shumë i madh.

Reagimi i plotë:

Shqetësuese paraqitja arrogante e kryeministrit Albin Kurti në konferencën për medie. Asnjë strategji konkrete për kthimin e policëve të arrestuar nga Serbia, në shtëpitë e tyre.

Akuza e retorika boshe.

Koordinimi me aleatët e Kosovës është domosdoshmëri emergjente e jo leksione etike ndaj tyre.

Megjithëse dëmi i shkaktuar shtetit tonë, në raport me partnerët është jashtëzakonisht i madh.

Mllefi ndaj gazetarëve është i patolerueshëm, të cilët rrezikuan jetën e tyre për të raportuar drejt për gjendjen e krijuar në veri. Kjo qeveri çdo ditë është duke e rrezikuar shtetësinë e jetën e qytetarëve. Ndërsa, gabimet në qeverisje mësynë t’i kompensojë me frikësimin e mediave dhe izolimin e vendit.

Rasti i ndërhyrjes qeveritare në pavarësinë editoriale të Klan Kosovës, kinse për parregullsi në regjistrimin e biznesit është arbitrar dhe meriton reagim gjithëshoqëror!

Kosova meriton qeverisje të mirë, jo regjim!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat