Kurti viziton familjarët e policit të kidnapuar Beqir Sefa, tregon se si do ta nxjerr nga burgu i Serbisë

Aktuale

Kurti viziton familjarët e policit të kidnapuar Beqir Sefa, tregon se si do ta nxjerr nga burgu i Serbisë

Më: 15 qershor 2023 Në ora: 12:39 Përditësuar në ora: 15:42 më 15.06.2023
Albin Kurti

Kurti vizitoi familjet e policëve të rrëmbyer nga forcat serbe

Kryeministri Albin Kurti vizitoi sot familjarët e Beqir Sefës, Rifat Zekës dhe Shemë Mustafës, tre policëve të Kosovës të rrëmbyer dje nga forcat serbe në kufi me Serbinë e në brendi të territorit të Kosovës.

Në Mitrovicë, kryeministri u mirëprit nga familjarët e Shemë Mustafës, përfshirë të vëllanë e tij që ishte po ashtu polic kufitar. Familjarët, siç u bë e ditur në komunikatë, vlerësuan përkrahjen nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga populli, që po ua lehtëson barrën.

Në fshatin Peran të Komunës së Podujevës, ai u prit nga familjarët e Beqir Sefës, në mesin të cilëve ishte dhe djali i tij, që po ashtu është pjesëtar i Policisë së Kosovës në Prishtinë dhe i angazhuar në Task Forcën për veri.

“Kryeministri i njoftoi familjarët se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është në kontakt me institucionet atje, në përpjekje për të marrë sa më parë dhe sa më shumë informacione për gjendjen e policëve të rrëmbyer.”, u bë e ditur në komunikatë.

Ata e falënderuan kryeministrin për vizitën, si dhe për qëndresën e tij.

Në fshatin Letanc të Komunës së Podujevës, kryeministri Kurti pastaj vazhdoi me vizitën te familja e Rifat Zekës. Ai shprehu mbështetjen dhe solidaritetin me familjen.

Kryeministri ritheksoi se Republika e Kosovës është në të drejtën e saj dhe se dëshmitë që posedojnë institucionet e vendit dokumentojnë se zyrtarët e Policisë së Kosovës ishin brenda territorit të Republikës.

Policët ishin në nivel detyre, në luftim të kontrabandës, në atë pjesë, ku më herët janë mbyllur 16 rrugë ilegale.

Familjarët u shprehën falënderues për vizitën dhe kujdesin e treguar, dhe theksuan besimin e plotë në institucionet e Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës ka deklaruar dje se tre zyrtarë kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës. Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.

-------------------------------

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkuar tek familja e njërit nga policët e rrëmbyer dje nga policia serbe.

Vëllai i Sefës ka thënë se Kurti i ka njoftuar se janë duke bërë përpjekje që përmes ndihmës së Kryqit të Kuq t’i kthejnë policët në Kosovë.

Gjurmë të çizmeve në drejtim të Serbisë e pranga plastike kanë gjetur institucionet e sigurisë në Leposaviq, ku njësitet speciale ushtarake serbe morën peng tre policë shqiptarë. E përkundër se për gjithë këtë ka fakte, kryeministri Albin Kurti, shprehi habinë për heshtjen e KFOR-it edhe një ditë pas këtij agresioni të Serbisë në Kosovë.

Në konferencën për media të mbajtur pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Kurti bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, apeluan bashkësinë ndërkombëtare që të bëjnë trysni mbi Serbinë për të ndalur agresionin ndaj Kosovës, dhe që të kthejë tre policët e rrëmbyer në territorin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat