Kurti për bllokimin e kufirit: S’është masë ekonomiko-tregtare

Aktuale

Kurti për bllokimin e kufirit: S’është masë ekonomiko-tregtare

Më: 15 qershor 2023 Në ora: 14:47
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur masë të sigurisë, vendimin e djeshëm për të bllokuar hyrjen e kamionëve të Serbisë në Kosovë.

Kurti ka thënë se kjo s’është masë ekonomiko-tregtare, por se është marrë për çështje sigurie pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë nga forcat serbe.

Nga Dogana s’janë deklaruar ende për këtë vendim, por sipas raportimeve në media, rreth 60 kamionë janë duke pritur në Merdare për të hyrë në Kosovë.

Kurti tha se masat që kanë vendosur nëpër pikëkalimet kufitare, siç është edhe kjo për bllokimin e mallrave serbe, nuk janë ekonomiko-tregtare.

Sipas Kurtit, këto masa janë vendosur për çështje të sigurisë.

Masat tona nëpër vendkalimet kufitare me Serbinë, nuk janë masa ekonomiko-tregtare, por janë masa të sigurisë. Gjendja nuk është aspak e zakonshme dhe për neve është e qartë se agresioni po vjen nga Serbia. Nganjëherë në rrugë ilegale, e është e mundshme edhe në vendkalime kufitare, prandaj si masa të sigurisë ne kemi marrë vendimin për qarkullim të kufizuar dhe kontrolla të shtuara deri në një vendim tjetër”, tha Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat