“Kosova po përgatit draft statut të Asociacionit për ta diskutuar në Bruksel”, çfarë tregoi dje Presidentja

Aktuale

“Kosova po përgatit draft statut të Asociacionit për ta diskutuar në Bruksel”, çfarë tregoi dje Presidentja

Më: 15 qershor 2023 Në ora: 15:59
Vjosa Osmani- Albin Kurti

Dje në Strasburg, presidentja Osmani zbuloi që Kosova është duke e përgatitur një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Osmani këtë deklaratë e bëri pas pyetjes së gazetarëve për draftin e propozuar nga kryeministri shqiptar, Edi Rama. Për themelimin e asociacionit, presioni nga ndërkombëtarët po vazhdon të rritet, pasi nisja e punës për krijimin e asociacionit është kërkesa e tretë që Bashkimi Evropian ka për deeskalimin e situatës në Veri.

Pas adresimit në Parlamentin Evropian, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media, u pyet për draftin e propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ajo tha ky draft nuk është ndarë me institucionet e Kosovës, derisa njoftoi se institucionet e Kosovës janë duke e përgatitur një draft të vetin.

Ajo përmendi tre parametra për përgatitjen e draftit – Kushtetuta e Kosovës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 dhe qëndrimi amerikan i publikuar nga Chollet dhe Escobar.

“Nuk është një draft i cili është i ndarë me institucionet e Kosovës. Kurdo që e kemi mundësinë e parë të takoheni, do të diskutojmë. Ajo çka dua unë të them është kjo, institucionet e Republikës së Kosovës kanë ndërmarrë obligime në procesin e dialogut në Bruksel që institucionet e Republikës së Kosovës ta përgatisin draftin. Ai draft është duke u përgatitur, po bëhet punë dhe është ai draft i cili do ta vendosë bazamentin e diskutimeve në Bruksel sa i përket Asociacionit” ka theksuar Presidentja.

“Gjithnjë duke pasur parasysh tri parametra shumë të rëndësishme, Kushtetutën tonë, vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe qëndrimin amerikan, i botuar me shkrim nga Chollet dhe Escobari. Ekspertët po punojnë dhe draftet po konsolidohen. Pra, Kosova konsultohet me miq, dashamirë, ekspertë dhe në fund e propozon draftin ashtu siç e ka marrë obligim në këtë proces”, shtoi dje Osmani.

Ndërkaq Kurti, javën e kaluar në Kuvend, tha se në takimin e 2 majit ka prezantuar një draft-vizion për Asociacionin, të cilin mund ta thelloj nëse ka pajtueshmëri në parim.

“Unë kam propozuar një draft-vizion për të zbatuar nenin 7 të marrëveshjes bazike e në lidhje edhe me nenin 10 për të cilin nuk kam pranuar së pari aprovimin e palës tjetër që s’e pranoi fare dokumentin e më pas edhe të Brukselit zyrtar që vazhdon ta konsiderojë këtë çështje të hapur. Tash e tutje mund të diskutojmë në kuadër të dialogut të Brukselit, pra është një çështje e hapur nga pikëpamja e Brukselit për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes sipas vizionit tim të prezantuar në Bruksel dhe i cili përfaqëson shkronjën dhe frymën e Kushtetutës sonë”, tha Kurti.

Presioni i ndërkombëtarëve

Të mërkurën e javës së kaluar, emisari amerikan, Gabriel Escobar, përsëriti deklaratën se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është “kërkesë ligjore” për Qeverinë e Kosovës.

Për çështjen e Asociacionit, Escobar tha se Kosova do ta bëjë atë, por se pyetja është nëse e bën me qeverinë aktuale apo atë të ardhshme.

“Në një moment, nëse Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin e saj, ajo duhet ta formojë Asociacionin. Pyetja është se a do të ndodhë kjo me këtë qeveri apo me qeverinë e ardhshme”, tha Escobar.

Sipas tij, të dyja palët – Kosova dhe Serbia – duhet të përqendrohen në planin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve dhe të ecin përpara me Asociacionin.

“Unë ende mendoj se mund t’i kemi të gjitha elementët, shumicën e elementeve, të realizuara këtë vit kalendarik”, tha Escobar.

Ndërsa, dy ditë më vonë ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, tha se aleatët e Kosovës duan që tani të shohin përparim në procesin e normalizimit të marrëdhënieve të saj me Serbinë.

Aboott shkroi se tashmë është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe duke u bazuar në propozimin që e bëri kryeministri Kurti në takimin e fundit në Bruksel.

“Në këtë javë pati shumë vizitorë të rëndësishëm në Prishtinë, duke përfshirë edhe drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor të Britanisë së Madhe, Victoria Billing. Aleatët e Kosovës duan të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Pra, tani është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft-statut për një Asociacion, duke u mbështetur në vizionin e vendosur nga Kryeministri javën e kaluar, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga BE-ja”, ka thënë Abbott në Twitter.

Drafti i propozuar nga kryeministri Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më 8 qershor njoftoi se një ditë më parë i ka dërguar një draft statut të Asociacionit kancelarit Scholz dhe presidentit Macron.

Rama tha se e ka marrë këtë iniciativë duke e ditur se do të vinin gjërat në pikën kur Kosova dhe Serbia s’do të merren vesh. Ai thotë se drafti është në pajtim me gjithë rekomandimet e Gjykatës Kushtetutese të Kosovës.

“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe Scholz një draft të Asociacionit për të cilin kam vënë në dijeni edhe Charles Michelin dhe palën amerikane. Është një draft punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë prej kohësh. Gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë.Kjo ditë kur palët dhe në këtë rast, për mua i pakutpueshëm është pozicioni i Kosovës dhe jo i Serbisë. Palët nuk po mërren dot vesh se as kush duhet ta shkruaj këtë tekst, e jo më se çfarë do të ketë teksti. Është dokument konfidencial që s’pretendon të jetë zgjidhja ideale por është një dokument i nivelit më të lartë që merr në konsideratë se Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës duke adresuar të gjithë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Uroj që ky material do të vlej për të çuar në një nivel tjetër dialogun dhe për t’I bërë palët që të flasin për gjëra konkrete”, ka deklaruar Rama.

Për këtë draft-statut është deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Ai tha se “secili kontribut konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në kuadër të të cilit është duke u diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është i mirëseardhur”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat