Kosovë, opozita dënon arrestimin e tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe

Aktuale

Kosovë, opozita dënon arrestimin e tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe

Më: 15 qershor 2023 Në ora: 17:20
Foto ilustrim

Partitë opozitare në Kosovë dënuan të enjten arrestimin e tre pjesëtarëve të policisë të Kosovës nga forcat serbe, duke e cilësuar ngjarjen si akt agresioni dhe shkelje të integritetit territorial të vendit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kërkoi mbledhjen e një seance të jashtëzakonshme parlamentare ku do të bashkërendoheshin veprimet e qeverisë dhe opozitës.

“Nuk është e mundshme të sillemi thua se asgjë nuk ka ndodhur, që të mblidhemi këtu e të vazhdojmë seanca të mbetura, të bëjmë manifestimet normale kur i kemi tre policë të rrëmbyer, kur kemi akt agresioni të Serbisë kundër Kosovës. Na takon si parlament, si deputetë, si përfaqësues të qytetarëve, si përfaqësues edhe të atyre tre policëve që sot të jemi në nivelin e përgjegjësisë”, tha ai.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, bëri thirrje për lirimin sa më parë të zyrtarëve policorë.

“Në emër të Lidhjes Demokratike e dënoj fuqishëm agresionin luftënxitës të Serbisë duke kidnapuar tre zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës, brenda territorit të Kosovës. Ky është një veprim agresioni i dënueshëm politikisht dhe ndërkombëtarisht dhe një veprim i cili në asnjë rrethanë nuk duhet të lejohet që të përsëritet. Kërkoj nga qeveria e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtar që të bëjnë të pamundurën që në një kohë sa më të shkurtër të bëhet kthimi i policëve në Kosovë dhe ndërmarrja e veprimeve të tjera të duhura”, tha zoti Gashi.

Opozita sërish kritikoi qeverinë e Kosovës për mungesën e bashkërendimit me aleatët perëndimorë lidhur me situatën në veri të vendit.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se kjo mungesë bashkërendimi ka bërë që situata edhe ashtu e brishtë të përshkallëzohet edhe më shumë.

“Ajo që duhet të thuhet sot këtu është se veprimet aventureske në veri të Kosovës dhe shpërfillja e miqve tanë euroatlantik në krye me Shtetet e Bashkuara kanë rezultuar me përshkallëzim të situatës dhe jemi nën kërcënim të sanksioneve ndaj një vendi i cili është më properëndimor dhe më proamerikan. Reagimi me vonesë i kryeministrit ndaj çdo situate të krijuar është parë si një pabesi e qeverisë ndaj partnerëve dhe rrjedhimisht reagimi i tyre ishte i butë”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë kritikuar ashpër qeverinë e Kosovës për mungesë bashkërendimi, duke e përjashtuar atë nga stërvitjet ushtarake “Defender Europe 23”, dhe nuk kanë përjashtuar mundësinë e masave të tjera ndëshkuese. Bashkimi Evropian tashmë ka shpallur masa ndëshkuese./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat