Shkodra: Kidnapimi i tre policëve akt terrorist, e pashpjegueshme heshtja e KFOR-it

Aktuale

Shkodra: Kidnapimi i tre policëve akt terrorist, e pashpjegueshme heshtja e KFOR-it

Më: 15 qershor 2023 Në ora: 18:16
Selam Shkodra

Ish-zëvendësministri i Brendshëm i Kosovës, Selam Shkodra, e ka cilësuar akt terrorist kidnapimin e tre efektivëve të Policisë së Kosovës në thellësinë e territorit të Kosovës nga Forcat Speciale serbe.

Shkodra, konstaton se bazuar në të dhënat që janë prezantuar nga institucionet e Kosovës, rezulton që brendësia e territorit të Kosovës ka qenë 1.3 kilometra në momentin kur janë kidnapuar zyrtarët policorë.

“Dje, kemi pasur zhvillime edhe më dramatike, ku Serbia qëllimisht ka përshkallëzuar situatën duke kidnapuar tre efektivë të Policisë, në thellësi të territorit të Republikës së Kosovës. Sipas të dhënave që tashmë janë publike, provat që janë prezantuar nga institucionet e Kosovës rezulton që brendësia në territorin e Kosovës ka qenë 1.3 kilometra. Andaj, konstatoj që është një akt agresioni, madje mund të konsiderohet edhe si akt terrorist i një shteti siç është Serbia”, tha ai.

Ai, thotë njësitë e xhandarmërisë serbe nuk kanë pasur shenja identifikuese, prandaj sipas tij, kjo lenë të nënkuptohet që ai grup i përngjan një grupi terrorist.

“Marrë parasysh se edhe vetë njësitë e xhandarmërisë serbe nuk kanë pasur shenja identifikuese, nuk kanë pasur emblema, po ashtu nuk kanë pasur asnjë edhe një lloj mbishkrimi, më shumë i përngjan një grupi terrorist, apo një grupi mafioz, sesa një strukture të organizuar policore”, tha Shkodra.

Sipas tij, ky akt është bërë me qëllim hakmarrjeje pas arrestimit të Milun Milenkoviq – Llune, pasi që i njëjti dyshohet se ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan.

“Kjo është bërë me qëllim që të kthehet një lloj hakmarrje për arrestimin e një krimineli, i cili ka udhëhequr bandat për të sulmuar institucionet e Qeverisë së Kosovës javët e kaluara”, shtoi ai.

Ai ka vlerësuar të pashpjegueshme heshtjen e KFOR-it për këtë rast.

“KFOR-i është përgjegjës për me reagua sepse është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës. Është e çuditshme që janë bërë më shumë se 24-orë dhe heshtin, është e pashpjegueshme. Me sa po shihet ata kërkojnë që të disiplinojë institucionet e Kosovës që të ulët intensitetit i veprimeve të organeve ligj zbatuese të Kosovës”, tha Shkodra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat