Petkoviq ia përmend Kurtit “kërkesat e serbëve”

Aktuale

Petkoviq ia përmend Kurtit “kërkesat e serbëve”

Më: 21 qershor 2023 Në ora: 18:08
Petar petkoviq

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, i ka reaguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili të martën u shpreh se zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme në komunat veriore është i nevojshëm, por me një fushatë të lirë parazgjedhore.

Sipas Kurtit, për ta realizuar një gjë të tillë nevojitet shtet ligjor, për çka nuk u pajtua – natyrisht – Petkoviq.

Për Petkoviqin, serbët nga Kosova presin që Prishtina zyrtare t’i lirojë menjëherë serbët e arrestuar nga veriu i Kosovës, si dhe ta tërheqë policinë bashkë me kryetarët veriorë.

“I vetmi mesazh që serbët në Kosovë presin menjëherë nga Prishtina është lirimi i bashkatdhetarëve të rrëmbyer dhe torturuar nga Kurti”, tha ai.

Nga Kurti, vazhdon Petkoviq, “serbët presin një urdhër për tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës”.

“Kjo do të ishte e vetmja dëshmi e pranueshme se Kurti është i gatshëm të ndryshojë qëndrimin e tij ndaj popullit serb në Kosovë dhe gjithçka tjetër është vetëm një shfaqje për komunitetin ndërkombëtar. Megjithëse, besoj se është e qartë për të gjithë se shfaqja që vetë Kurti drejton dhe luan rolin kryesor nuk është gjë tjetër veçse teatri i absurdit”, shtoi ai.

Ai shtoi se është fyerje që Kurti po tenton t’ia kalojë fajin Vuçiqt rreth situatës në veri të Kosovës.

Nga ana tjetër, Kurti sot ka deklaruar se “me sundimin e ligjit, gradualisht mund ta zvogëlojmë numrin e policëve në ndërtesat komunale”.

Pra, një mjedis ku nuk ka frikë dhe kriminelë. Kjo është ajo që ne duam dhe duhet ta arrijmë së bashku”, deklaroi Kurti përmes një video-fjalimi të drejtuar karshi komunitetit serb në gjuhën e tyre amtare"- përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat