Njësia Speciale shkon në Graçanicë, ku pritet të fillojë protesta e serbëve

Aktuale

Njësia Speciale shkon në Graçanicë, ku pritet të fillojë protesta e serbëve

Më: 22 qershor 2023 Në ora: 09:34 Përditësuar në ora: 13:14 më 22.06.2023
Foto nga vendi i ngjarjes

Shpërndahen protestuesit në Graçanicë

Me pankartat “Të lirohen serbët tonë të pafajshëm”, “Drejtësi për popullin serb”, “Mos i kriminalizoni serbët”, qytetarët serbë protestuan para Stacionit të Policisë në Komunën e Graçanicës.

Ata kërkuan lirimin e Dragisha Milenkoviq, i cili është arrestuar nga policia gjatë së mërkurës.

Rreth orës 13:00 protestuesit u shpërndanë ndërsa nuk është regjistruar ndonjë incident.

Ndryshe, Dragisha Milenkoviq dyshohet se si gardian i burgut në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se ka ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë.

Zyrtarët policorë kanë zbatuar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit dhe në cilësinë e provave materiale kanë sekuestruar një armë zjarri-revole e tipit “Zastava” cal.9mm, 136 fishek të kalibrit 9x19mm, thikë ushtarake e tipit SOG Speciality Knives, shufër metalike “Taiëan”, dokumente, vendime, notes dhe telefon personal.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se përgjegjësit e krimeve të luftës në Kosovë duhet të vihen para drejtësisë.

Sveçla ka thënë se arrestimi i Milenkoviq ka ndodhur pas një punë të gjatë hetimore, nga e cila janë mbledhur prova të mjaftueshme për ekzistimin e dyshimit për pjesëmarrje në krimet gjatë kohës së luftës. 

Qytetarët serbë sërish protestë në Graçanicë

Një grup qytetarësh serbë janë mbledhur në Graçanicë, në shenjë proteste ndaj arrestimit të një pjesëtari të komunitetit serb, nën dyshimet për krime lufte.

Protestues nga radhët e komunitetit serb në Graçanicë kishin paralajmëruar protesta të reja për të enjten duke mohuar dyshimet mbi të arrestuarin. Ata janë mbledhur ara stacionit të policisë në Graçanicë.

Policia ka njoftuar se ka zhvilluar hetime lidhur me krimet e kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë (1998- 1999), ku përmes rrugëve hetimore-operative ka pranuar informacion për të dyshuarin mashkull kosovar serb me iniciale (D. M.) si pjesëmarrës në këto krime.

“Ndaj të njëjtit janë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në cilësi të personave zyrtar (gardian të burgut) në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë”,  thuhej në komunikatën e e Policisë.

Arrestimi ngjalli reagime të partive politike serbe në Kosovë dhe zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, që bënë thirrje për reagim të komunitetit ndërkombëtar.

Lista Serbe tha në një reagim se “Dragisha Milenkoviç është arrestuar në Graçanicë pa asnjë provë”, dhe se “regjimi i (kryeministrit Albin) Kurtit vazhdon gjuetinë mbi serbët para syve të komunitetit ndërkombëtar, i cili hesht dhe i jep hapësirë Kurtit për të përndjekur serbët, ndërsa EULEX-i pretendon të jetë një institut statistikor”.

Edhe kryetarja e Graçanicës e pranishme në protestën për lirimin e Milenkoviqit

Protestuesit serbë kanë filluar të mblidhet edhe sot për të kundërshtuar me protestë arrestimin e Dragisha Milenkoviq nga autoritetet e Kosovës.

E pranishme në këtë ngjarje është edhe kryetarja e Komunës së Graçanicës, Ljiljana Shubariq,

Përveç pjesëtarëve të Policisë së Kosovës shihen edhe ekipe të KFOR-it e EULEX-it.

Njësia Speciale shkon në Graçanicë, pritet të fillojë protesta e serbëve

Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës kanë shkuar në Graçanicë.

Ata shkuan në pjesën ku pritet të fillojë protesta e serbëve që është kundër arrestimit të serbit, D.M.

I dyshuari në fjalë u arrestua dje për shkak se dyshohet për vrasje të popullatës civile dhe krime lufte.

 

Ende asnjë person nuk është mbledhur në Graçanicë për të protestuar

Në Komunën e Graçanicës ende nuk është mbledhur asnjë serbë për të protestuar kundër arrestimit të serbit të djeshëm.

Gazetari Flamur Gajtani, i cili është në vendin e ngjarjes ka thënë se momentalisht aty është qetë, pavarësisht njoftimit të Policisë së Kosovës se nga ora 11:00 do të bllokohet magjistralja Prishtinë – Gjilan për protesta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat