Sveçla dyshon se ka hyrë më shumë armatim në veri: Do ta kapim dhe pjesën tjetër

Aktuale

Sveçla dyshon se ka hyrë më shumë armatim në veri: Do ta kapim dhe pjesën tjetër

Më: 23 qershor 2023 Në ora: 23:53
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, foto ilustrim nga "Bota sot"

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës me zbulimin e një sasie të madhe të armatimit në një veturë me targa të Beogradit në Zveçan ka parandaluar sulm terrorist në vend, derisa tha se kjo është vetëm një pjesë e armatimit që ka hyrë së fundmi nga Serbia në Kosovë.

“Kjo është vetëm një pjesë e armatimit që ka hyrë nga Serbia kohët e fundit. Unë duke parë punën e policisë nga afër, jam i bindur se Policia e Kosovës shumë shpejt jo vetëm që do të zbulojë pjesën tjetër por edhe do të arrestojë ata që janë të përfshirë në sjelljen e këtij armatimi dhe përdorimin e tyre”, ka thënë Sveçla në një intervistë në RTK.

Ai ka thënë se Serbia është jashtëzakonisht e interesuar që ta destabilizojë këtë pjesë të Kosovës, por që institucionet e vendit janë të përkushtuara, së bashku me aleatët KFOR-in e Eulexin, të parandalojnë çfarëdo eskalimi, por edhe në vendosjen e rendit dhe ligjit.

Sveçla ka thënë se policia tashmë i ka informatat e para mbi personat që janë të përfshirë në sjelljen dhe vendosjen e armatimit, por potencialisht edhe në realizimin e akteve terroriste.

“Këto armë janë jashtëzakonisht të rrezikshme qoftë për personelin e policisë e po ashtu edhe për të gjithë qytetarët. Kjo e konfirmon edhe një herë se Serbia është e përfshirë jo vetëm në cytjen e financimin, por edhe në organizimin, armatimin dhe trajnimin e të gjitha këtyre grupeve të milicisë fashiste, e cila po i reziston rendit dhe ligjit dhe punës sonë për një zhvillim të demokracisë edhe në këto katër komuna në veri”, ka shtuar Sveçla.

Ai ka thënë se vendosja e rendit e ligjit, siguria, sovraniteti e integriteti territorial në asnjë moment nuk mund të vihen në pikëpyetje.

“Do të punojmë ditë e natë që ato t’i sigurojmë, që të mbretërojë qetësi edhe për shtetasit që jetojnë në këtë pjesë të vendit pavarësisht përkatësisë etnike dhe të gjithë kriminelët të sillen para drejtësisë”, ka thënë ministri Sveçla.

Ai tutje ka thënë se Policia e Kosovës dhe AKI-ja janë jashtëzakonisht efikase në parandalimin e çfarëdo rreziku për vendin. Ai ka pranuar se ka sfida dhe në situata të tilla kërkohet shumë punë e djersë, por edhe rreziqe për pjesëtarët e policisë dhe të AKI-së, por ka thënë se këto institucionet deri tani kanë treguar se janë të suksesshme në kryerjen e detyrave për të neutralizuar çdo rrezik që i kanoset qytetarëve dhe institucioneve të vendit.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës kanë vullnet të mirë për të zvogëluar numrin e policëve në katër komunat e veriut, por se kjo duhet të ndodhë pasi situata të qetësohet dhe pasi që “milicia fashiste të largohet dhe të sigurohet qetësia atje”.

Ministri ka konfirmuar po ashtu se sot tre policët e kidnapuar në veri nga ana e Serbisë janë vizituar nga familjarët e tyre në burgun e Kralevës, teksa ka shprehur shpresën se ata shumë shpejtë Serbia do t’i bindet presionit ndërkombëtar dhe ata do të lirohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat