Afro 4 vjet në burgjet e Serbisë, lënda ndaj Nezir Mehmetajt kërkohet të rikthehet në pikën zero

Aktuale

Afro 4 vjet në burgjet e Serbisë, lënda ndaj Nezir Mehmetajt kërkohet të rikthehet në pikën zero

Më: 27 qershor 2023 Në ora: 20:28
Nezir Mehmetaj

Ndonëse gjykimi ndaj tij ishte në përfundim, për lëndën ndaj Nezir Mehmetajt është bërë kërkesë që të rikthehet nga pika zero.

Kjo nën arsyetimin se është ndërruar gjykatësi i rastit, dhe për këtë prokurori ka kërkuar që lënda të nisë nga fillimi.

E krejt kjo, pas rreth katër vjet paraburgim në burgjet e Serbisë.

Nezir Mehmetaj, qytetar nga Rudica e komunës së Klinës, është arrestuar nga policia serbe me tre janar të vitit 2020, në vendkalimin kufitar në Merdarё, nën akuzat për kryerje të krimeve të luftës ndaj popullsisë joshqiptare gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

Është bërë kërkesë për të rikthyer lëndën dhe mbetet të shihet në seancën e radhës, arsye ishte ndryshim në trupin gjykues”, ka thënë shkurtimisht për Portalin Dukagjini Valon Mehmetaj, vëllai i Nezir Mehmetajt.

Ai ka thënë se masa e paraburgimit i është shtyrë deri në muajin shtator.

Po ashtu, ai ka theksuar se “gjendja shëndetësore e Nezirit nuk është e mirë”.

“Nezirit, qysh nga kapja duke e cilësuar si arrestim për akuzat e rreme dhe të pabaza janë duke iu shkelur të drejtat njerëzore dhe ligjore, këtë e dëshmon mbajtja në paraburgim që 1300 ditë, duke mos pasur fare konsideratë mbi këto shkelje nga ana e të ashtuquajturës drejtësi e shtetit të Serbisë, rasti zvarritet ashtu sipas tekëve të tyre”, tha vëllai i Nezirit.

Ai ka kërkuar reagim nga institucionet përkatëse të Kosovës dhe nga ndërkombëtarët.

Duhet të reagojë shteti ynë dhe bashkësia ndërkombëtare ndaj kësaj shkelje e të drejtës për liri dhe jetë, që të lirohet sa më parë, sepse Nezir Mehmetaj, i cili është duke vuajtur në çdo aspekt, pasi që e gjithë kjo kohë e gjatë e mbajtjes jashtë çdo rregulli ligjor ia ka shuar shpresat për liri”.

Trajtimi nga autoritetet e burgut ku ai mbahet ka qenë korrekt ka thënë MPJD-ja, edhe pse mbajtja e tij në burg dhe akuza ndaj tij nga z. Mehmetaj “konsiderohen të padrejta, arbitrare dhe krejtësisht të pavërteta”.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, në një prononcim për Portalin Dukagjini, vlerëson se kjo qasje e Serbisë është në kundërshtim me parimet apo obligimet që i ka në raport me integrimin e saj evropian në BE dhe të drejtat e lirisë së njeriut.

“Me vetë faktin që i njëjti është në paraburgim për rreth katër vjet dhe kthimi i rastit në rigjykim është se mund të marrë edhe vite të tjera deri sa të kemi një vendim përfundimtar. Sigurisht që kjo cenon të drejtat dhe liritë e njeriut për një gjykim në kohë të arsyeshme dhe kur kësaj i shtohet fakti që nëse nesër i njëjti mund të shpallet i pafajshëm, atëherë kjo dëshmon që shteti serb me dije po ua cenon qytetarëve të Kosovës të drejtat e tyre duke keqpërdorur gjykatat e veta”, ka thënë Miftaraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat