Platforma Scopus, Ministrja dhe deputetët e VV-së e vendosin Prishtinën si pjesë të Serbisë

Aktuale

Platforma Scopus, Ministrja dhe deputetët e VV-së e vendosin Prishtinën si pjesë të Serbisë

Më: 29 qershor 2023 Në ora: 13:23
Armend Muja- Artane Rizvanolli

Profilet në një platformë shkencore të eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë një ministre dhe disa deputetë, tregojnë shkelje mbi parimet kushtetuese të vendit.

“Prishtinë, Serbi”, figuron lokacioni i regjistruar nga disa zyrtarë të ekzekutivit e legjislativit në profilet e tyre në platformën Scopus.

Scopus është një nga platformat më të rëndësishme në botë e cila përmban të dhëna mbi publikimet shkencore të autorëve ndërkombëtarë. Shkencëtaret e sferave të ndryshme i publikojnë aty botimet e tyre.

Image
Profili i Artane Rizvanollit

Platforma nuk e njeh Kosovën si shtet. Në këtë linjë është vendosur edhe një ministre e Qeverisë së Kosovës: Artane Rizvanolli. Në profilin në Scoupus të ministres Rizvanolli, kryeqyteti i Kosovës është regjistruar si vendbanim në Serbi, bazuar në të dhënat publike të platformës.

Paraqitja e Prishtinës si pjesë të Serbisë përbën shkelje të parimeve kushtetuese, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Image
Profili i Armend Mujes

Përveç ministres së Ekonomisë, edhe funksionarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë regjistruar vendbanimet e tyre në Scopus në “Prishtinë, Serbi”, transmeton paparaci.

Armend Muja, një profesor universitar dhe deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, është po ashtu i regjistruar në platformën shkencore Scopus.

Image
Profili i Ardian Gola

Ngjashëm sikurse ministrja e Ekonomisë, edhe deputeti nga Mitrovica gjatë regjistrimit në platformën Scopus e ka regjistruar Prishtinën si pjesë të Serbisë, duke shkelur kështu parimet kushtetuese të Kosovës.

Kolegu i Mujës në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, po ashtu ka publikuar punimet e tij shkencore në këtë platformë dhe e ka vendosur aty Prishtinën brenda territorit të Serbisë.

Edhe deputetët tjerë të LVV-së, Ardian Gola e Fitim Uka, janë të regjistruar njësoj në platformën ndërkombëtare shkencore.

Deputeti Fitim Uka, punimin e fundit në Scopus e ka publikuar në vitin 2023.

Punimi i Ukës nxjerr në shesh edhe një të pavërtetë të thënë vitin e kaluar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arberie Nagavci, e cila u ngut të marrë merita të ndërrimit të kodit të Serbisë me atë të Kosovës në këtë platformë.

Në një postim në shtatorin e vitit 2022, Nagavci tha se falë punës së MASHT-it, Scopus e ka njohur Kosovën dhe vonesa, sipas saj, kishte ardhur nga neglizhenca e paraardhësve të saj.

“Platforma Scopus e njeh Kosovën. Përkundër nismave individuale të hulumtuesve që Kosova të jetë e listuar në një nga platformat më të rëndësishme shkencore në botë, siç është platforma Scopus, deri më tani ka munguar pjesa institucionale e veprimit”, kishte thënë ministrja Nagavci, vitin e kaluar.

“Si rezultat, e gjithë puna e hulumtuesve tanë nga Kosova deri më tani i është faturuar Serbisë. MASHTI ka marrë masa, duke e adresuar këtë problem dhe sot kam kënaqësinë të ndaj lajmin e mirë me gjithë komunitetin hulumtues se tashmë puna hulumtuese e tyre i njihet Kosovës”.

Suksesi i proklamuar nga ministrja Nagavci nuk është konfirmuar nga Scopus. Në këtë platformë, Kosova vazhdon të figurojë pjesë e Serbisë.

Për shkeljen e parimeve kushtetuese, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është vënë në ndjekje të televizionit kombëtar, Klan Kosova.

Rreth dy javë më pare, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, e cila funksionon në kuadër të MINT-it, nxori vendim për pezullimin e ceritifikatës së biznesit të Klan Kosovës për shkak të regjistrimit të afarizmit në kundërshtim me parimet kushtetuese, vetëm pse pronari i saj në një shtet tjetër, ku nuk funksiononte kodi “ xk” për Kosovë, regjistroi KGO Median me pasaportë të Serbisë.

Vendimi, nga i cili qeveria nuk është tërhequr ende pavarësisht prej reagimeve të përfaqësive të huaja diplomatike në vend e organizatave ndërkombëtare, është ende në fuqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat