Studentët presin dështimin e nismës për ndërrimin e emrit të UP-së

Aktuale

Studentët presin dështimin e nismës për ndërrimin e emrit të UP-së

Më: 30 qershor 2023 Në ora: 11:41
Universiteti i Prishtinës

Tash e një kohë është propozuar ndërrimi i emrit të Universitetit ”Hasan Prishtina” nga rektori i Universitetit të Prishtinës për shkak të disa ndryshimeve statutore. Këtë po e kundërshtojnë studentët, pasi konsiderojnë se ndërrimi i emrit të universitetit është i padrejtë. Ata presin që të dështojë një nismë e tillë, dhe që emri i Hasan Prishtinës të jetë përjetësisht ai që e identifikon UP-në.

Me kërkesën që të mos largohet emri i Hasan Prishtinës nga Universiteti i Prishtinës, studentët e UP-së para një muaji kanë organizuar edhe peticionin “Mos ma prek Hasan Prishtinën”, i cili ka mbledhur rreth 3 mijë nënshkrime.

E derisa ende nuk është marrë një vendim, këta të rinj vazhdojnë të shprehin pakënaqësitë e tyre lidhur me këtë nismë.

Për Fatlinda Lokajn, studente e Fakultetit Teknik, vetë ideja për ndërrimin e emrit të UP-së është e padrejtë.

Lokaj: Ndërrimi i emrit të UP-së nuk është vendim i drejtë

”Nuk mendoj që është vendim i drejtë. Është mirë të vazhdohet me këtë emër që është tash. Nuk e di pse është marrë ky vendim, po mendohet që është për shkak të fondeve, nuk është vendim i drejtë për shkak se janë mbledhur shumë peticione kundër këtij vendimi”, është shprehur ajo.

Ndërrimin e emrit nuk e përkrah as Riad Lahu, student në Fakultetin Ekonomik. Sipas tij, emri “Hasan Prishtina” ka qenë për vite dhe duhet të vazhdojë të mbetet.

Lahu: Asnjë student nuk e përkrahë ndërrimin e emrit në UP

“Sa për emrin e fakultetit ‘Hasan Prishtina’, besoj që është një vendim jo i mirë për emrin e fakultetit tonë dhe për famën e fakultetit tonë, nuk besoj që e përkrah asnjë ndërrimin e emrit të fakultetit”, tha ai.

Se Universiteti i Prishtinës mban emrin e denjë të Hasan Prishtinës, tha edhe studenti i Fakultetit Teknik, Edon Gashi.

Gashi: Kjo nismë është e gabuar dhe nuk do të përfundojë me rezultat

“Sa i përket nismës për ndërrimin e emrit të Universitetit është një nismë e gabuar pavarësisht arsyetimeve ata çka e kanë nis këtë iniciativë mirëpo mendoj që nuk kanë me arrit atë qëllim sepse është në të mirën tonë kur na e përfaqësojmë Fakultetin me emrin tonë në rangun botëror me një emër të denjë që na përfaqëson gjithë shqiptarëve, me sukseset qe i arrijmë. Unë personalisht nuk preferoj të ndërrohet emri i universitetit”, tha ai.

Të njëjtin mendim ndan edhe profesori Alajdin Alishahu.

Alishahu: Hasan Prishtina luftoi për shtetin e shqiptarëve

“Nuk mendoj se duhet të ndërrohet. Këta kanë disa arsyeje se qenka një Fakultet në Mitrovicë me të njëjtin emër ‘Hasan Prishtina’, tash bëhen dy. Nuk duhet me e ndërru emrin, por të vazhdohet me të. Ai ka luftuar”, tha Alishahu.

Për ta kundërshtuar ndërrimin e emrit të UP-së është organizuar një aksion simbolik nga Fondacioni “Hasan Prishtina” dhe shoqata të tjera. E në lidhje me këtë, stërnipi i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina, ka thënë se rektori i UP-së, Qerim Qerimi, ka filluar reformat, por në mënyrë të mbrapsht.

Ndryshe, që nga viti 2012 Universiteti i Prishtinës mban emrin e heroit kombëtar Hasan Prishtina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat