Deputeti i Vetëvendosjes thotë se me të vërtetë ka akte terroriste në veri të Kosovës

Aktuale

Deputeti i Vetëvendosjes thotë se me të vërtetë ka akte terroriste në veri të Kosovës

Më: 30 qershor 2023 Në ora: 19:21
Vetëvendosje

Deputeti i Vetëvendosjes, Nijazi Isaku, tha se Qeveria Kurti është duke u marrë me marrëveshje që janë nënshkruar nga qeveritë e kaluara, e të cilat i ka cilësuar të dëmshme për Kosovën.

Por, pavarësisht marrëveshjeve të kaluara e të cilat Isaku i quan të dëmshme, ai thotë që nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive.

“Tash, qeverisja jonë po duhet me u marrë me marrëveshje që kanë qenë të dëmshme për Kosovën. Kush po thotë që do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive? Edhe tani, nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive, nëse ka një Asociacion ju e patë vendimin e fundit në Mitrovicë të Veriut sot bëhet pjesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës”, tha ai.

Sa i përket sanksioneve, sipas tij janë të padrejta t’i vendosen Kosovës në raport me veriun.

“Qeveria e Kosovës, kryeministri ynë vazhdon me pas mbështetjen tonë dhe vazhdon me përfaqësu denjësisht Kosovën, vazhdon me mbrojt interesin e Kosovës në raport me Serbinë, por edhe me disa ndërkombëtarë që mesa duket po e mbajnë pothuajse në këtë rrethanë edhe anën e Serbisë. Unë si deputet edhe si pjesë e Vetëvendosjes, ne nuk jemi kurrë që do të bëjmë një kompromis të dëmshëm për vendin. Kemi dëgjuar që do të ketë sanksione, është e padrejtë t’i vendoset Kosovës sanksione në raport me veriun, për arsye se Kosova po e zbaton ligjshmërinë edhe kushtetutshmërinë në atë pjesë”, tha deputeti tutje.

Ai tha se në veri ka pasur akte terroriste që janë kryer në drejtim të Policisë së Kosovës, KFOR-it, gazetarëve e popullit.

“Institucionet e sigurisë e kanë vlerësuar një veprim kështu që ndaj këtyre organizatave të veprohet dhe veprimi i tyre është shpallja e organizatave terroriste, për arsye që në atë pjesë me të vërtetë ka akte terroriste që i kanë bërë policisë, KFOR-it, gazetarëve, popullit etj. Tash ne si shtet është dashur të bëjmë një veprim, veprim ligjor në kuptimin që imponon ose duhet sipas kushtetutshmërisë dhe ligjit që e detyron shtetin në një rrethanë të tillë”, shtoi Isaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat