​Kurti pret në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Irlandës për Kosovë

Aktuale

​Kurti pret në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Irlandës për Kosovë

Më: 3 korrik 2023 Në ora: 17:18
Foto nga takimi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Irlandës për Kosovë, Ronan Gargan.

Në këtë takim miqësor u ritheksuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe përkushtimi i dyanshëm për thellim dhe zgjerim të mëtejmë të bashkëpunimit.

Kryeministri e falënderoi ambasadorin Gargan për bashkëpunimin dhe angazhimin e tij përgjatë misionit, veçanërisht mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Irlandës për Republikën e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar e organizatat evropiane e demokratike ku vendi ynë aspiron të aderojë.

U tha se marrëdhëniet e dy shteteve tona kanë avancuar gjatë viteve të fundit e janë karakterizuar dhe nga vizita të nivelit të lartë, sikurse vizita e vitit të kaluar në Kosovë e Ministrit irlandez për Çështje Evropiane, z. Thomas Byrne. U theksua se Kosova dhe Irlanda ndajnë vlera e parime të përbashkëta, të cilat lehtësojnë bashkëpunimin në sfera të ndryshme.

Kryeministri Kurti dhe ambasadori Gargan bashkëbiseduan edhe për situatën në veri të Republikës së Kosovës dhe zhvillimet e fundit.

Kryeministri Kurti i uroi fat dhe suksese të mëtejme ambasadorit Gargan në angazhimet e tij të radhës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat