Kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut thirrje Kosovës e Serbisë për shtensionim

Aktuale

Kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut thirrje Kosovës e Serbisë për shtensionim

Më: 4 korrik 2023 Në ora: 00:08
Foto nga takimi

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel, u bënë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ndërmarrin hapa drejt shtensionimit të situatës dhe të vazhdojnë dialogun drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Ata i bënë komentet gjatë një vizite në Beograd ku u takuan me Presidentin Aleksandar Vuçiç. Të marten ata do të shkojnë në Prishtinë, për të ofruar siç thanë mbështetjen për të normalizuar situatën ndërmjet dy vendeve.

“Ne nuk mund të theksojmë sa duhet se sa e rëndësishme është që Serbia dhe Kosova të ndërmarrin hapa drejt uljes së tensioneve dhe përfundimisht drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre përmes dialogut të udhëhequr nga BE-ja”, tha Kryeministri i Holandës, Mark Rutte.

“Është e rëndësishme të qetësoheni. Dhe ne e dimë se ka një udhërrëfyes që është bërë nga (Miroslav) Lajcak, dhe gjithashtu nga Përfaqësuesi i Lartë (Josef) Borrell. Dhe është e rëndësishme të bësh gjëra. Fjalët janë të mira, veprat janë më të mira. Dhe ne duhet të avancojmë në këto tema dhe të tregojmë gjithashtu se ekziston një dëshirë për shtensionimin e situatës”, tha Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel.

Kosova dhe Serbia po përballen me tensione të larta ndërmjet tyre për shkak të situatës në veri të Kosovës, ku për më shumë se një muaj qytetarët serbë po kundërshtojnë vendosjen në zyrat komunale të kryetarëve shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.

Diplomatët perëndimorë kanë shprehur shqetësimin për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në një kohë kur as Kosova dhe as Serbia nuk kanë ndërmarr hapa për shtensionimin e situatës me gjithë thirrjet e tyre.

Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, tha se vendet e Beneluksit janë të gatshme ta ndihmojnë Kosovën dhe Serbinë për të ecur përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Nuk jemi këtu për të zëvendësuar Josep Borrell. Ne nuk jemi këtu për të zëvendësuar (Miroslav) Lajçakun. Ne jemi këtu vetëm për të treguar se duam, edhe si miq të Ballkanit, të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të jemi të dobishëm nëse ka një dëshirë për të qenë i dobishëm. Por pasi të jenë bërë përparime”, tha ai.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha se autoritetet në Prishtinë nuk kanë përmbushur ende marrëveshjet që janë nënshkruar në Bruksel e që kanë të bëjnë me Asociacionin.

“Marrëveshja e Brukselit, e cila është nënshkruar dhjetë vjet më parë, ende nuk është zbatuar në pjesën më të rëndësishme, që është formimi apo krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe dhe ky ishte parakushti që çdo gjë tjetër të përmbushej nga pala serbe”, tha Presidenti Vuçiç.

Kryeministri holandez tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetët temë në agjendën e tyre.

“Pra, ne do të diskutojmë absolutisht edhe atë nesër, pa dyshim. Natyrisht, kjo është pjesë e një grupi më të gjerë propozimesh dhe idesh që janë në tryezë, por kjo është absolutisht pjesë e saj. Kështu që ne do ta trajtojmë patjetër nesër siç do ta trajtojmë edhe sot, sepse mendoj se edhe kjo kërkon punë nga të dyja palët”, tha Kryeministri i Holandës, Mark Rutte.

Themelimi i Asociacionit parashihet edhe me marrëveshjen e mujit mars që u arrit në Ohër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, e cila nuk i uli tensionet./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat