6 muaj nga vrasje me breshëri plumbash e Nustret Cenës – asnjë i arrestuar

Aktuale

6 muaj nga vrasje me breshëri plumbash e Nustret Cenës – asnjë i arrestuar

Më: 4 korrik 2023 Në ora: 12:02
Nusret Cena

Po bëhen 6 muaj që kur Nusret Cena, ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u vra me një breshëri plumbash në veturën e tij në magjistralen Ferizaj-Kaçanik. Pra, për gjithë këta muaj nuk ka asnjë të arrestuar. Askush nuk po deklarohet për rastin.

Rasti i vrasjes makabër të Cenës, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kaluar në Prokurorinë Speciale, por këta të fundit përkundër insistimit të gazetës nuk kanë dhënë asnjë detaj.

Por çka dihet për rastin deri tani?

Hetuesit e Policisë së Kosovës kishin zbuluar se Cena ishte ekzekutuar me breshëri plumbash nga një distancë e afërt, derisa po voziste me veturë në magjistralen Ferizaj-Kaçanik, në vendin e njohur si Kaçaniku i Vjetër.

“Nga hetimet e para, ekzaminimit të vendit të ngjarjes dyshohet se personi/persona të panjohur në Kaçanik të Vjetër nga afërsia kanë shtënë breshëri plumbash mbi automjetin dhe shoferin e më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, thuhej në komunikatën e policisë.

Policia poashtu njoftoi se në fshatin Soponicë të Kaçanikut, u gjetë edhe një automjet tjetër i udhëtarëve i përfshirë nga flaka.

Gazeta kishte raportuar ekskluzivisht, duke sjellur pamje nga vendi i ngjarjes. Kishte tentuar të flasë edhe me familjarët, por që nuk pranuan.

Përveç ish-ushtar i UÇK-së për çka tjetër njihej Cena

Nusret Cena ka qenë ish ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Brigada 162 “Agim Ramadani” në Zonën Operative të Nerodimës dhe pas luftës emri i tij ishte përmendur për afërsinë me politikën, konkretisht me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Përveç se veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, emri i tij ishte i njohur për organet e drejtësisë. Ai përmendet në rastin “Sekiraqa” dhe për një vrasjes së trefishtë që kishte ndodhur në Kaçanik në vitin 2007 si dhe në rastin “Zharku”, shkruan Insajderi.

Cena dyshohej se kishte gisht në shpërthimin që ndodhi në kafenenë “Sekiraqa”, me 27 shtator të 2007-ës. Por me të nisur procesi gjyqësor Nustret Cena ishte liruar nga akuzat.

Në aktakuzën e 30 shtatorit 2013, prokurorja e rastit “Sekiraqa” kishte kërkuar paraburgim për tre prej tetë të pandehurve në mesin e tyre edhe Nusret Cena.

Cena ishte paraqitur pa avokat dhe kishte shfrytëzuar të drejtën e tij të qëndrimit në heshtje

Nga shpërthimi në lokalin “Sekiraqa” ishin vrarë dy persona, Naim Murati dhe Pleurat Sllamniku, dhe plagosur 11 të tjerë.

Emri i Nustret Cenës përmendej edhe në rastin e një vrasje të trefishtë që kishte ndodhur në Kaçanik në vitin 2007. Ai akuzohej për veprën penale vrasje.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të akuzuarit Agron e Afet Dalloshi, Nusret Cena, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, më 28 dhe 29 shtator 2007, në vendin e quajtur te “Ura e Lepencit”, afër fshatit Soponicë, Ferizaj, janë marrë vesh dhe kanë privuar nga jeta Neshat, Sylejman dhe Urim Baftiun, kishin lënë të plagosur Bujar Baftiun, ndërsa pa lëndime kishte shpëtuar Sadik Baftiu.

Lidhur me këtë, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me aktgjykimin e 7 shkurtit 2011, të akuzuarit Hasani dhe Qerimi i ka shpallur fajtor duke iu shqiptuar dënim me burgim afatgjatë, çdo njërit nga 33 vite, kurse të akuzuarin Nysret Cena e ka liruar nga aktakuza në mungesë të provave.

Nusret Cena, ishte dënuar për zhvatje në rastin “Zharku”. Ai ishte dënuar me 1 vjet e një muaj burgim. Më 21 prill 2011, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e kishte shpallur Cenën fajtor për kryerjen e veprës penale të zhvatjes dhe posedimit të paligjshëm të armës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat