272 të rinj certifikohen në trajnime për ICT, Rizvanolli thotë se ky sektor ka potencial të madh

Aktuale

272 të rinj certifikohen në trajnime për ICT, Rizvanolli thotë se ky sektor ka potencial të madh

Më: 5 korrik 2023 Në ora: 12:57
Foto nga vendi i ngjarjes

Të mërkurën në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë u mbajt eventi për certifikimin e 272 të rinjve kosovarë në trajnime të Java Programming, Cyber Security, Web Development, Python, Bigdata, e Machine Learning, trajnim ky i fuqizuar nga Bashkimi Evropian.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se sektori i ICT-së, është më i avancueshmi në Kosovë, me potencial të madh.

Ajo tha se njohuritë që këta të rinj e të reja kanë fituar nga trajnimi, janë tejet të dobishme për tregun e punës në Kosovë.

“Ky sektor në vendin tonë është sektori më i avancueshëm që rritë potencialin e vendin tonë. Janë shumë të rinj e të reja të aftë e të gatshëm për tregun e punës. Njohuritë e shkathtësitë digjitale janë tejet të dobishme. Kemi arritur që të kemi një përdorim të internetit të madh duke e vënë Kosovën në top gjashtë shtetet në Evropë”.

“Jam shumë optimiste që projekte si ky do jenë të vyeshme për zhvillimin e kësqj fushe. Dua t’i falënderoj të gjithë trajnerët si dhe përkrahësit e përfaqësuesit e BE-së. Jam e lumtur që janë certifikuar në këto trajnime me kaq rëndësi për tregun e punës. Sukses të gjithëve dhe shpresoj të shihemi në evente të tjera me rezultate tuajat që i keni arritur si rrjedhojë e këtij certifikimi”, tha ajo.

Johannes Stenbaek, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se kjo fushatë po ndikon drejtpërdrejtë në zhvillimin e vendit.

Deri tash, janë mbi 1 500 të rijnë të certifikuar nga ky projekt dhe mbi 150 biznese pjesëmarrëse në B2B eventet vendore e ndërkombëtare.

Qëllimi i projektit është të përmbushë mungesat dhe nevojat për shkathtësi digjitale e biznesore në mënyrë të qëndrueshme duke plotësuar nevojat e tregut dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve kosovare digjitale e tradicionale sikurse edhe rritjen e eksportit të bizneseve Kosovare të TIK, bashkë me të atyre tradicionale përmes përdorimit të TIK nga ana e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat