Ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s i shkon në zyrë Kurtit

Aktuale

Ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s i shkon në zyrë Kurtit

Më: 5 korrik 2023 Në ora: 16:08
Qeveria e Kosovës

Ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s për operacione, Thomas Goffus, bashkë me komandantin e KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, janë parë duke hyrë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Goffus dhe Ristuccia do ta takojnë edhe presidenten Vjosa Osmani,.

Takimi zhvillohet në Kabinetin e presidentes duke filluar në orën 16:00.

Ndërsa, sot më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se pas takimeve me institucionet e sigurisë e përfaqësues të NATO-s, brenda kësaj jave do të dihet për pretendimet se a ka armë të kontrabanduara në kishat ortodokse serbe në Kosovë.

Ai ka theksuar se nuk mund të jepen të dhëna përfundimtare, sepse ende janë duke u mbledhur.

“Do ta kem një takim me përfaqësues të NATO-s dhe me organet e sigurisë për këtë çështje. Do ta takoj komandatin e KFOR-it. Jemi duke grumbulluar të dhëna, nuk mund të jap informacion përfundimtar. Këtë javë do të dihen ato informacione. Ne kemi treguar gatishmërinë tonë për deeskalim. Normalisht që deeskalimi i konvenon Beogradit”, ka thënë Kurti.

Ndryshe, deputetja e parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, të martën e 4 korrikut ka thënë se në veri të Kosovës kontrabandohen armë që vijnë nga Serbia, dhe sipas saj, kjo bëhej me anë të ambulancave.

Por, KFOR-i në një përgjigje për Dukagjinin ka deklaruar se nuk ka asnjë dëshmi për kontrabandim të armëve nga Serbia në Kosovë dhe shfrytëzim të kishave ortodokse për t’i mbajtur ato.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat