​“Me i kapë dytë e me i rrahë”, qytetarët komentojnë raportin Kurti-Rama

Aktuale

​“Me i kapë dytë e me i rrahë”, qytetarët komentojnë raportin Kurti-Rama

Më: 6 korrik 2023 Në ora: 16:42
Foto ilustrim

Qytetarët në kryeqytet kanë mendime të ndryshme për raportin e Kosovës me Shqipërinë. Kryeministri shqiptar, Edi Rama do të udhëtojë sot në Kosovë, por ende nuk dihet nëse do të pranohet në takim nga homologu i tij, Albin Kurti. Të dy kryeministrat po fajësohen nga qytetarët, të cilët thonë se kjo do të ndikojë në raporte të tjera ndërkombëtare. Por, një pjesë e tyre po fajëson Ramën, meqë konsiderojnë se ai “po përzihet” në punët e Kosovës.

Qytetari nga Prishtina, Muharrem Kasumi thotë se fajin për këtë situatë e ka kryeministri shqiptar, Edi Rama, për të cilën vlerëson se nuk është duke dhënë kontribut pozitiv në situatën aktuale.

Kasumi: Me i rreh dytë kishte me qenë mirë

"Pash Zotin këqyre, qysh kanë thanë ata pleqtë "me i kapë dytë e me i rrahë ish kanë mirë". Po tash me këqyrë me nda drejtësinë, Albin Kurti është duke e mbrojt shtetin e Kosovës, Edi Rama është duke u përzier në punët e Kosovës duke mos dhënë një kontribut pozitiv, duke menduar se e ka bërë një propozim i cili është ma i volitshëm ndoshta për Serbinë sesa për Kosovën. Kjo do të thotë shkelja e autonomisë së shtetit të Kosovës”, shprehet ai.

Për më tepër, ai thotë se të dy liderët e Kosovës e Shqipërisë duhet të jenë bashkë. Raportet e Kurtit dhe Ramës, siç thotë ai, po e ndihmojnë Serbinë.

Kasumi: Shqipëria po e ndihmon shumë Serbinë

“Tek ne gjithë në histori, populli shqiptar sa herë ka qenë një rast i mirë rëndësishëm, janë përça për interesa të ndryshme, ish dashtë me qenë të bashkuar më qenë unik dhe me bisedua....Takimi i Albin Kurtit jo që po e arsyetoj se ne jemi qytetarë, por meqenëse ata nuk kanë pranuar si shtete të bashkohen tash, e të bashkohen po i bie si ne një farë mënyre private kjo nuk ka rëndësi....Edhe Shqipëria edhe opozita edhe shqiptarët mashAllah se di negativisht po e them, janë duke i ndihmuar shumë Serbisë, nuk e di pse kështu, a është një farë rryme siç ka qenë, atëherë që ka qenë rryma e komunizmit, e stalinizmit apo ndonjë sindrom sikur sëmundje ose diçka ka hyrë, kjo që krejt për Serbinë për t'i ndihmuar”, shton ai.

“Albini kollitet në shtëpi të vet”, thotë qytetari Avni Shabani, i cili komenton raportet e kryeministrit Albin Kurti dhe Edi Rama.

Shabani: Albini ka të drejtë

"Mendoj se Albini ka të drejtë, mendoj se Albini qysh thotë populli “Albini kollitet në shtëpi të vetë”. Mendoj se Albini e dinë ma mirë, tash Edi Rama është përzier kohën e fundit pak në punët tona, po Albini ka të drejtë”, thotë ai.

Po ngjashëm mendon edhe qytetarja Dije Lika.

Lika: Edi Rama nuk e dëshiron Kosovën

"Nuk dëshiron koment se popullata e din fort mirë se Albini ka shumë të drejtë Albini është i vendosur...Albini i din punët e veta ma mirë se çdo kush tjetër, Edin e njohim që s'është që e dëshiron Kosovën”, shton ajo.

Ndërsa, Fadil Curri konsideron se kjo situatë duhet të kalohet dhe në mes të dyja vendeve të ketë raporte të shëndosha.

Curri: Raportet duhet të jenë të shëndosha

"Raportet duhet të jenë të shëndosha, të mira, dhe të sinqerta mes dy kryeministrave, nuk ka diçka të pakalueshme", thekson Curri.

Ka qytetarë të tjerë, të cilët e fajësojnë kryeministrin, Albin Kurti.

Xhevdet Podrimaj kritikon kryeministrin për mungesë diplomacie në çështje vëllazërore.

Podrimaj: Është shqetësuese, gabim është kryeministri jonë

"Po është shumë shqetësuese vërtetë, sepse në fund të fundit, jemi një komb, për mendimin tim, këtu gabim është kryeministri jonë, sepse kjo ka të bëjë më shumë me diplomaci, sesa ka të bëjë me çështje vëllazërore. E mira dhe e keqja duhet të diskutohen, ndoshta ka informacion që për neve është relevant dhe në fund të fundit nuk duhet të injorohet”, thotë ai.

Më i ashpër është Isuf Gashi, i cili vlerëson se raportet mes dy kryeministrave janë “si lojë fëmijësh”.

Gashi: Si fëmijë, është marre

"Si fëmija, hajde luajmë, hajde mos luajmë, kjo është marre, fëmija me bë këtë jo më këta, si kryetarë të qeverisë...Duhet me prit pa marrë parasysh, lë të jenë kush të jenë, ky po i thotë vëlla i madh për Edi Ramën”, përfundon ai.

Raportet jo të mira mes të dyja vendeve, Kenan Gashi vlerëson se do të ndikojnë negativisht në raportin ndërkombëtar.

Gashi: Ky raport do të ndikojë negativisht edhe në shtete të ndryshme

"Në vazhdimësi raportet e tyre kanë qenë të këqija, kjo dëshmon dhe e argumenton se mes tyre nuk ekziston një raport i mirë. Në fakt jo që është i asaj politike, por kjo po tregon që është shumë personale mes tyre, dhe ç’ është më e keqja që do të ndikojë negativisht edhe në raportet e ndryshme që kanë të bëjnë me raportin ndërkombëtar. Në këtë rast diplomacisë dhe besoj që për Kosovën është një anë negative për shkak se kryeministri i jonë nuk mund ta ketë mbështetjen ashtu siç mund ta ketë nga një kryeministër shqiptar. Besoj se shumë shtete të ndryshme do ta kenë parasysh këtë raport", vijon Gashi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se sot janë dorëzuar në Ministrinë e Jashtme të Kosovës 13 marrëveshjet që janë paraparë të nënshkruheshin në mbledhjen e dy qeverive më 14 qershor.Ai ka shtuar se me këtë veprim ia ka hequr “merakun” Kurtit dhe se shpreson që pas kësaj të takohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat