Enver Hasani: Janë disa veprime të Ramës që janë perceptuar si të dëmshme nga Qeveria e Kosovës

Aktuale

Enver Hasani: Janë disa veprime të Ramës që janë perceptuar si të dëmshme nga Qeveria e Kosovës

Më: 7 korrik 2023 Në ora: 13:43
Enver Hasani

Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani, vlerëson se përplasjet Kurti-Rama ndodhin për arsye objektive dhe subjektive.

E para, sipas tij, lidhet me raportin rajonal të forcave, si dhe me rolin dhe pozitën e Shqipërisë, si anëtare e NATO-s dhe si shtet i integruar në bashkësinë ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, thotë Hasani, Rama po përpiqet ta luajë rolin e një “hegjemoni” rajonal.

Sipas tij, ai po përpiqet të ndërmjetësojë mes palës shqiptare dhe asaj serbe, por edhe të paraqitet si “një gjysmëzëdhënësi i bashkësisë ndërkombëtare, apo së paku i strukturave të sigurisë ndërkombëtare”.

Aspekti subjektiv, që ka acaruar marrëdhëniet mes dy kryeministrave, sipas Hasanit, është “takti me të cilin Rama i është qasur Kosovës, jo vetëm tash, por edhe më herët”.

Sipas tij, janë disa veprime të Ramës që janë perceptuar si të dëmshme nga Qeveria e Kosovës – nisur nga mbështetja e tij për idenë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, përpjekja për ta bindur Kosovën që t’i bashkohej nismës Ballkani i Hapur e deri te paraqitja e një draft-propozimi për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Këto kanë lënë shije të keqe, sepse Rama është parë si nj lloj ‘pyke’, e cila është pjesë e një pabesie më të madhe. Kështu është perceptimi i Qeverisë aktuale, i Qeverisë së Kurtit”, thotë Hasani.

“Por, Rama, duke i përdorur faktorët objektivë, në emër të të cilëve ai flet, po synon si shtesë një protagonizëm që, objektivisht, përveçse e delegjitimon Kurtin si pushtet, i fryn edhe idesë së Kosovës si një shtet i dështuar ose në dështim e sipër. Kjo është esenca e problemit”, thotë Hasani për Radion Evropa e Lirë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit, përmendi pikërisht tri momentet, të cilave iu referohet edhe Hasani, si arsye subjektive të përplasjeve Kurti-Rama.

Ato “e kanë dëmtuar Kosovën”, tha Konjufca për mediat, pas takimit me Ramën.

Rama, ndërkaq, Konjufcën e quajti “djalë simpatik”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat