Krasniqi me ambasadorin e Suedisë: Pozicioni i PDK-së, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme

Aktuale

Krasniqi me ambasadorin e Suedisë: Pozicioni i PDK-së, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme

Më: 7 korrik 2023 Në ora: 13:53
Jonas Westerlund dhe Memli Krasniqi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka pritur sot në takim ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, me të cilin ka biseduar për situatën në vend dhe marrëdhëniet me Suedinë.

“Situata e rëndë në të cilën ndodhet Kosova aktualisht dhe zbehja e raporteve me aleatët ndërkombëtarë, si pasojë e krizave të prodhuara nga kryeministri Albin Kurti, janë qëndrimet që ia shpreha sot Ambasadorit të Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, të cilin e prita në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, me ç’rast diskutuam për zhvillimet politike në vend”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Ai ka theksuar se ambasadorit Westerlund ia ripërsëriti pozicionin e PDK-së për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pasi, sipas Krasniqit, situata në Kosovë është jonormale, sidomos pas sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian.

“Atë e njoftova edhe për vendimet tjera të marra në mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së, që janë pezullimi i komunikimit zyrtar me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani dhe vendimi për të mos votuar në asnjë forum të Kuvendit të Kosovës për asnjë ligj, rezolutë, marrëveshje ndërkombëtare apo dokument tjetër. PDK-ja mbetet e përkushtuar për ruajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve të mira me partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka shkruar Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat