Rama në Podgoricë: Nuk kemi nevojë për heronj të rinj, por për modele të reja

Aktuale

Rama në Podgoricë: Nuk kemi nevojë për heronj të rinj, por për modele të reja

Më: 7 korrik 2023 Në ora: 18:27
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

“Duam një paqe që të funksionojë për njerëzit dhe duam që njerëzit të kenë më shumë shanse, më shumë mundësi, më shumë punë , më shumë të ardhura dhe jo më shumë përralla dhe histori heroizmash”, ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në Podgoricë, ku është takuar me kryeministrin me mandat teknik të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

“Heroizmat i përkasin të kaluarës. Ne nuk kemi nevojë për heronj të rinj në rajonin tonë. Ne kemi nevojë për modele të reja, të cilat të frymëzojnë se si të jemi më inovativ, më kreativ, më efikas, se si t’i bëjmë ekonomitë tona më të forta, se si të stimulojmë zhvillimin, se si të rrisim aftësitë e njerëzve tanë, për të përballuar një botë që bëhet gjithmonë më e vështirë dhe më komplekse”, tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të premten vazhdoi turneun e tij në kryeqytetet e shteteve të Ballkanit Perëndimor, turne ky që, sipas Ramës, synon të informojë shtetet e rajonit për përgatitjet që po bën Shqipëria për të pritur samitin e Procesit të Berlinit.

Rama theksoi se e ka njoftuar kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, për përgatitjet për samitin e procesit të Berlinit, i cili do të mbahet me 16 tetor në Tiranë, si dhe ka biseduar me te për samitin e NATO-s, i cili do të mbahet në Vilnius të Lituanësë, më 11 dhe 12 korrik.

“Për ne është shumë e rëndësishme që në këtë samit të NATO-s të kemi një qëndrim të përbashkët lidhur me rajonin dhe lidhur me shqetësimet në rajon, duke qenë të vetëdijshëm se falë Procesit të Berlinit dhe falë të gjitha nismave tjera që kemi ndërmarrë, jemi në një fazë tjetër të historisë sonë”, tha Rama.

Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se qëllimi i përbashkët i Podgoricës dhe Tiranës është që të ulen tensionet në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Qëllimi është që bashkë të investojmë në shtensionimin e situatës në tërësi në rajon. Pozita e Malit të Zi është shumë e qartë ne jemi të interesuar vetëm për bashkëpunim më të lartë dhe duam që kjo të jetë një rrugë që do ta marrin edhe fqinjët tanë”, tha ai gjatë konferencës për media me kryeministrin Rama.

Abazoviq shtoi se Ballkani Perëndimor duhet të “përqendrohet tek e ardhmja, e jo te e kaluara”. Ai shtoi se të gjitha çështjet e hapura në rajon duhet të mbyllen sa më shpejt, në mënyrë që shtetet e Ballkanit Perëndimor të përqendrohen në rrugën e përbashkët drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Vizita e së premtes në Podgoricë, pasoi vizitën në Sarajevë. Një ditë më parë, Rama vizitoi Shkupin dhe Prishtinën.

Në Prishtinë, Rama u prit në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila pas takimit tha se me kryeministrin e Shqipërisë, ka diskutuan “proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në samitin e NATO-s dhe samitin e Procesit të Berlinit”.

Takimi i Ramës me kryeminsitrin e Kosovës, Albin Kurti, nuk ndodhi për shkak se ky I fundit refuzoi këtë takim.

Kurti kishte thënë se takimin me të do ta zhvillojë vetëm në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, të Kosovës dhe Shqipërisë.

Dy qeveritë planifikuar mbledhjen e përbashkët në Gjakovë më 14 qershor, por ajo u anulua nga Rama për shkak të tensioneve në veri të Kosovës.

Turneu i Ramës përfundon me vizitën në Serbi, ku do të takohet me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiq. Në agjendën e kryeministrit shqiptar është paralajmëruar se bashkë me Vuçiqin, do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat