Pamje/ Policia nuk i lejoi të hyjnë në Kosovë, revoltohen motoçiklistët serbë – kërcënojnë me bllokada!

Aktuale

Pamje/ Policia nuk i lejoi të hyjnë në Kosovë, revoltohen motoçiklistët serbë – kërcënojnë me bllokada!

Nga: A.M. Më: 7 korrik 2023 Në ora: 18:51
Pamje nga vendi i ngjarjes

Motoçiklistëve nga Serbia, të cilët mëngjesin e sotëm janë nisur për në Mitrovicën e Veriut, kinse për të ofruar mbështetje dhe ndihmë për serbët e Kosovës, nuk iu është lejuar hyrja përmes vendkalimit administrativ të Jarinjës.

Sipas reporterit të Kosova Online, pjesëtarët e Policisë së Kosovës u kanë thënë se nuk janë lejuar të hyjnë për arsye sigurie, transmeton “Bota sot”.

Më herët gjatë ditës së sotme zëvendësdrejtori i policisë për rajonin verior, Veton Elshani, ka konfirmuar se automjetet e blinduara të Policisë së Kosovës janë dërguar në postbllokun afër vendkalimit administrativ në Jarinje, sepse “disa motoçiklistë ishin nisur në atë drejtim dhe se veturat e Policisë së Kosovës janë dërguar për të mos cenuar rendin publik”.

Motoçiklisti Miliq Radeviq, organizatori i “Bike Rock Mission”, ka thënë se kanë marrë njoftim nga Policia e Kosovës “se asnjë motoçikletë apo motoçiklistë nuk mund të hyjë në Kosovë”.

“Ne pyetëm nëse do të vlente dhe nëse vinim nesër, na thanë që as ne dhe as motoçikletat tona nuk mund të shkonim në Kosovë, na tërhoqën vëmendjen se rreth 300 metra nga vendkalimi ka automjete të blinduara dhe mjete luftarake të Policisë së Kosovës dhe se më mirë është të mos hyjmë”, thotë ai.

Ai tha se ata ishin të ndarë në katër grupe, se njëri u largua nga Beogradi sot në orën 10:00, i dyti nga Mali i Zi, i treti nga Serbia qendrore dhe i katërti nga Vojvodina.

“Këtu janë rreth 200 motoçiklistë. Ne ramë dakord që një grup të shkojë në Merdare”, shton Radeviq dhe thekson se po mendohet për bllokimin e trafikut nga ana e kundërt, gjegjësisht ndalimin e kalimit të automjeteve me targa të Kosovës si “masë” reciprocitetit sepse nuk lejohen të hyjnë në Kosovë”.

Dragan Antoniq nga Shabaci thotë se kanë vite që organizojnë “misionin humanitar”, “Bike Rock Mission” dhe se vijnë me qëllime të mira, për të vizituar dhe ndihmuar serbët që jetojnë në Kosovë.

“Nga Policia e Kosovës na është thënë se nuk mund të hyjmë për shkak të sigurisë, kemi ardhur me motoçikleta, vetëm me pajisje biker, nuk kemi asnjë shenjë, por me dëshirë për të kryer një aksion humanitar, na kanë ndaluar pa asnjë arsye”, thotë ai./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat