“Çka ta bën i yti nuk ta bën kush!”/ Rexhaj: Rama e bëri Kosovën nga mbrojtëse të vetme, në kundërshtare të Procesit të Berlinit

Aktuale

“Çka ta bën i yti nuk ta bën kush!”/ Rexhaj: Rama e bëri Kosovën nga mbrojtëse të vetme, në kundërshtare të Procesit të Berlinit

Nga: M.L. Më: 9 korrik 2023 Në ora: 18:50
Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq

Ish zëvendësministri i Arsimit, Prof. Xhavit Rexhaj, konsideron se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me primet e tij të fundit, siç ishte turi Ballkanik, po e dëmton Kosovën.

Në një postim në Facebook, Rexhaj ka shkruar se Refuzimi i Ballkanit të hapur - si çasje integruese para integrimit evropian - përballë një promovimi aktiv nga tandemi Rama - Vuçiq e ka vendosur Kosovën për disa vite në defanzive të thellë diplomatike e në pozitë të vështirë para të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë - përfshirë SHBA-të.

“Turin e vet ballkanik në përgatitje të takimit të pritur së shpejti të Procesit të Berlinit në Tiranë Rama e nis pak ditë pasi që kishte refuzuar dhe penguar realizimin e një mbledhjeje të përbashkët të qeverive të dy vendeve tona - me një arsyetim që do t'ia lakmonte edhe qeveria serbe (gjoja se Kosova po izolohet dhe sanksionohet dhe Shqipëria po merr anën e botes së përparuar)”, shkruan Rexhaj mes tjerash.

Postimi i plotë:

Çka ta bën i yti ose diplomacia e Edi Ramës!

Në disa vitet e fundit Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, me shumë zell ka promovuar Ballkanin e Hapur – në bashkepunim me kryetarin serb Vuçiq!

Secili kryeministër kosovar në këtë kohë ka refuzuar Ballkanin e Hapur duke e mbrojtur me vendosmëri Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor - nisur nga mikja e jonë kancelarja Merkel!

Refuzimi i Ballkanit të hapur - si qasje integruese para integrimit evropian - përballë një promovimi aktiv nga tandemi Rama - Vuçiq e ka vendosur Kosovën për disa vite në defanzive të thellë diplomatike e në pozitë të vështirë para të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë - përfshirë SHBA-të.

Tash Rama paska ndërruar kurs: Paska vendosur ta bartë bajrakun e Procesit te Berlinit. Një kthese për 180 shkalle! Dhe, në vend se të pranojë gabimin e t’i kërkojë falje Kosovës për dëmin e shkaktuar diplomatik me Ballkanin e Hapur, ai krijon një situatë në të cilën NE, pra Kosova, dalim kundër Procesit të Berlinit! Ne, sipas Rames, dalim kundër këtij procesi sepse kryeministri i Kosovës nuk paska pranuar të takohet me të në Prishtinë para dy-tri ditësh!

Por këtu unë shoh një loje. Cila është loja?

Turin e vet ballkanik në përgatitje të takimit të pritur së shpejti të Procesit të Berlinit në Tiranë Rama e nis pak ditë pasi që kishte refuzuar dhe penguar realizimin e një mbledhjeje të përbashkët të qeverive të dy vendeve tona - me një arsyetim që do t'ia lakmonte edhe qeveria serbe (gjoja se Kosova po izolohet dhe sanksionohet dhe Shqipëria po merr anën e botes së përparuar).

Kushdo që e njeh sado pak Albin Kurtin e di që ai lëndohet lehtë dhe nuk kthehet lehtë prapa! Domethenë, a do ta ketë ditur Rama që Kurti do të refuzojë takim bilateral me Ramen pas refuzimit të njëanshem të takimit të dy qeverive? Sigurt po! Atëherë, përse hyn në një varg të këtille veprimesh që edhe njëherë e dëmton Kosovën: Tash Kosova prej mbrojtësit të vetëm të Procesit të Berlinit në rajon, sipas Rames, del në kundërshtare të këtij Procesi! Edhe një humbje diplomatike e Kosoves - edhe nje fitore e Serbisë - pa luajtur asnjë gisht!

Çka ta bën i yti nuk ta bënë kush! Pikërisht sepse njeriu nuk pret goditje nga shpina!

A është i vetëdijshëm Rama për veprimet e veta? Nëse po, përse i bën ato?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat