Lushaku-Sadriu: Vlerat e Gërvallës s’do të duhej t’i kishte kurrë një kryediplomat i Kosovës, populizmi po dëmton Kosovën

Aktuale

Lushaku-Sadriu: Vlerat e Gërvallës s’do të duhej t’i kishte kurrë një kryediplomat i Kosovës, populizmi po dëmton Kosovën

Më: 9 korrik 2023 Në ora: 20:30
Jehona Lushaku Sadriu

Zhvillimet politike në vend nuk kanë të sosur, veçanërisht ato që lidhen me veriun e vendit dhe procesin e dialogut me Serbinë. Kosova tashmë është futur në ndëshkime nga Bashkimi Evropian dhe ndëshkimet po i shqyrton edhe partneri më i madh ndërkombëtar i vendit tonë të vogël, ShBA-ja.

Çka mendon Jehona Lushaku Sadriu, kryetare e forumit të gruas në LDK?

Në këtë intervistë për Nacionalen ajo si një njohëse e marrëdhënieve ndërkombëtare sqaron shumëçka në këtë kohë ‘pështjellimesh’ politike.

Znj. Lushaku-Sadriu, Kosova për herë të parë është nën masa ndëshkuese nga BE-ja. Cili është qëndrimi i LDK-së për këtë situatë?

Lushaku-Sadriu: LDK e ka shprehur shumë herë shqetësimin e vet për situatën politike në të cilën gjendet Kosova. Veprimet e pakoordinuara të Qeverisë Kurti në veri të Kosovës morën reagime ndërkombëtare negative dhe sollën masa ndëshkuese për vendin tonë. Ndonëse, natyrisht, përpjekja për të vënë rend dhe ligj është legjitime, kjo do të mund të bëhej në bashkërendim me strukturat e sigurisë ndërkombëtare që kanë mandat në Kosovë dhe të mos shkaktonte një përplasje të panevojshme me shtetet mike. Kosova si shtet po ndëshkohet për herë të parë në historinë e saj nga shtetet mike. Për herë të parë, po ashtu, Serbia po duket

më mirë sesa Kosovë në sytë e aleatëve tanë dhe kjo është humbje e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës. Për fajin e Qeverisë Kurti, që është e padijshme dhe e papërgjegjshme, po e pëson Kosova. Kjo është evidente.

Tani LDK-ja ka nisur një rrugë të re, duke mbajtur takime konsultative me kategori të ndryshme të shoqërisë kosovare. Çka do të thotë kjo rrugë?

Lushaku-Sadriu: Është një iniciativë e nisur nga kryetari Abdixhiku për të krijuar një rrugë të re për Republikën e Kosovës, për shkak të politikave përplasëse të Qeverisë së Kosovës me aleatët historikë të saj dhe rrezikimit të sovranitetit dhe pozicionit ndërkombëtar të Kosovës. Kjo iniciativë do të marrë formë pas një procesi deliberativ (kuvendues) mbipartiak me grupe të rëndësishme të shoqërisë, që besojnë në rrugëtimin euroatlantik të Kosovës, e që do të kontribuojnë në formësimin e kësaj iniciative. Takimi i parë me gazetarë ka dhënë një shtytje të fortë dhe nxitur një masë kritike që kërkon reflektim për veprimet e ardhshme. Do të vijojmë me takime me organizata të shoqërisë civile, me profesorë universitarë e ish-diplomatë; dhe biznese nga sektori privat në vend.

Cilat janë synimet që LDK-ja dëshiron të arrijë përmes kësaj 

Lushaku- Sadriu: Përveq diskutimit të ideve për rrugëtimin e përbashkët euro-atlantik, synojmë të identifikojmë propozime konkrete për dalje nga kriza aktuale, nga gjendja e trazuar, madje me tensione potencialisht shpërthyese, dhe nga izolimi. LDK synon të dalë me propozim(e) për rrugë të re meqë do me çdo kusht ta ruajë shtetin e Kosovës dhe aleancat tona. Ne konsiderojmë që është nevojë urgjente që Kosova të veprojë në koordinim me miqtë ndërkombëtarë për shtensionim të situatës dhe veprime të përgjegjshme në raport me faktorin ndërkombëtar.

Disa zyrtarë të LDK-së kanë paralajmëruar mundësinë e bojkotimit të punës së Kuvendit. A mund të presim një gjë të tillë?Lushaku- Sadriu: Të gjitha opcionet janë të mundshme nëse kjo qeveri nuk reflekton mbi dëmin që është duke ia shkaktuar vendit. Ne nuk mund të vazhdojmë të injorojmë të gjitha humbjet që po i shkaktohen vendit tonë me masa ndëshkuese dhe njëkohësisht injorimin kokëfortë e të pakuptim të këshillave ndërkombëtare. Kosova duhet të tregojë se është shtet i përgjegjshëm që zbaton obligime ndërkombëtare me qëllim që të prosperojë ndërkombëtarisht dhe të hyjë përnjëmend dhe pakthyeshëm në integrime evropiane e NATO. Të gjitha synimet tona strategjike për integrimet, për Kosovën pjesë të sistemit ndërkombëtar, po vihen në rrezik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat