Përfundon seanca e Kuvendit në mungesë kuorumi

Aktuale

Përfundon seanca e Kuvendit në mungesë kuorumi

Më: 10 korrik 2023 Në ora: 06:29 Përditësuar në ora: 19:42 më 10.07.2023
Kuvendi i Kosovës

Përfundon seanca e Kuvendit në mungesë kuorumi

Ka përfunduar seanca e Kuvendit të Kosovës në mungesë kuorumi.

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca tha se pikat e mbetura të seancës së sotme do t’i shqyrtojnë në seancën e radhës.

“Kuvendi nuk ka kuorum, kështu që e mbyllim seancën. Kanë mbetur edhe 4-5 pika”, tha ai. 

​Miratohet në lexim të dytë Projektligji për vazhdimin e njohjes së statusit për viktimat e dhunës seksuale

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, gjë që do të mundësojë njohjen e statusit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës deri në vitin 2025.

Krahas projektligjit, deputetët miratuan edhe disa amendamente përmes së cilës i është mundësuar Qeverisë së Kosovës që në bazë të rrethanave të mund të mundësojë vazhdimin edhe për dy vjet të tjera njohjen e statusit për viktimat seksuale gjatë luftës.

Miratimi në lexim të dytë i këtij projektligji erdhi me procedura të përshpejtuara në Kuvend, pasi i njëjti u miratua gjatë ditës në parim.

​Kuvendi miraton Projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes

Kuvendi i Kosovës, ka miratuar Projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në seancën e sotme plenare.

Deputetët zgjodhën edhe një anëtar në Këshillin Shtetërorë të Cilësisë në Agjencinë kosovare të Akreditimit.

Pas kësaj, deputetët shkuan në pauzë deri në orën 16:00./K

Shala për Projektligjin për Tatimin në Pronë: Goditen kategoritë sociale e mërgata, pse po i ngutet Qeverisë?

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Ferat Shala, i ka quajtur të habitshme veprimet e Qeverisë për ta tejkaluar Projektligjin për tatimin në pronën e paluajtshme.

Kategoritë sociale dhe mërgata, janë disa nga kategoritë që sipas Shalës goditën më së shumti nga ky projektligj.

Është e habitshme se si Qeveria në mënyrë apriori po mundohet ta përshpejtojë këtë projektligj.

Nuk e kuptoj as sot se kush dëshiron të përfitojë kur e dimë se Qeveria i ka me qindra milionë euro të pashfrytëzuara”.

Qalaj-Qeverisë: Për shkak të politikave të gabuara, po ndodh ikja masive e të rinjve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, tha se me veprimet e fundit po duke se Qeveria po i bënë nder dikujt tjetër.

Sipas tij, për shkak të politikave të gabuara të Qeverisë, po ndodh ikja masive e të rinjve dhe se bizneset po sjellin punëtorë nga jashtë.

Ai shton se në këto kushte, veprimet e Qeverisë për t’i goditur komunat në të hyrat buxhetore është e papranueshme.

“Sa është presioni psikologjik i situatës së sigurisë në vend nuk do shumë koment. Që nga paslufta e deri më sot qytetari nuk ndihet i sigurt që Qeveria me veprimet e saja ka rënë në kurth dhe siç duket po i bën nder dikujt tjetër”.

“Përveç krizës globale, qytetari është ballafaquar me një mosplanifikim të mirë që nuk ka marrë diçka nga Qeveria. Kushtet atmosferike dhe dëmet që u janë shkaktuar nga vërshimet si në kulturat bujqësore por edhe në ato familjare, bujqit dhe qytetarët kanë nevojë për përkrahje”.

Kemi filluar për shkak të migrimit tash të importojnë edhe fuqi punëtore. Për ditë bizneset po sjellin punëtorë e të cilët qëndrojnë për një kohë të shkurtër, ata ikin nga Kosova dhe kjo po bëhet për shkak të ikjes masive të të rinjve. Në këto kushte, t’i godasësh komunat e Kosovës për të hyrat buxhetore është e papranueshëm”.

​Falja e 100 eurove të tatimit, Murati përplaset me deputetët opozitarë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati është përplasur me deputetët e partive opozitare për Projektligjin për tatimin në pronën e paluajtshme.

Në seancën e sotme të Kuvendit, ministri Murati tha se përmes këtij projektligji falen 100 euro të faturës së vitit aktual të tatimit, nga e cila sipas tij, përfitojnë 95 përqind të qytetarëve. Ai po ashtu tha se nga viti 2025, do të fillojë edhe tatimi progresiv.

Murati: Përmes këtij projektligji falen 100 euro të tatimit në pronë

Me këtë projektligj, çfarë kemi propozuar është që për vitin aktual të zvogëlohet barra e tatimpaguesve për secilin deri në 100 euro, aq sa është vlera e faturës për vitin aktual. Kjo pra prek 95 për qind të qytetarëve. Çështja e dytë ka të bëjë me periudhën kalimtare për vitin e ardhshëm, ku pragu prej 0.15 për qind ulet në 0.10 për qind për të gjithë. Dhe, për vitin 2025 e tutje, është propozu që të ketë tatim progresiv, pra të përshkallëzuar, e ku me lirimet e përshkuara për pronën primare duhet të arrihet vlera prej 275 mijë euro e pronës ose të tejkalohet, në mënyrë që të fillojë të paguhet më shumë. Pra, kushdo që është nën 275 mijë të vlerës së pronës, i bie të paguajë më pak”, tha ai.

Por deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri u shpreh kundër këtij projektligji, derisa akuzoi ministrin Murati se po e rrit tatimin në pronë.

Tahiri: Kah po doni me dërgu këtë vend

“Kah po doni me dërgu këtë vend, qysh po mendoni me kriju një perspektiv për të ardhmen e këtyre qytetarëve duke rënduar jetën në secilën sferë të mundshme ku keni mundësi. Prandaj si GP i PDK-së ju bëjmë thirrje deputetëve të mos e votojnë një projektligj të tillë”, theksoi Tahiri.

Kritike u shpreh edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se përmes tatimit progresiv, do t’iu vështirësohet puna bizneseve.

Bajrami: Po i vështirësoni punën bizneseve

“Ju tentoni t’iu vështirësoni jetën bizneseve, atyre të cilave që sot po kanë problem me vazhdu kontratat e eksportit, për shkak se Kosova është nën sanksione. Sot vjen këtu dhe të vetme politikë që ke pru është me shtrenjtu atyre tatimin në pronë, me bërë tatimin progresiv. Asnjë reformë tjetër fiskale s’ke arrit me bërë”, deklaroi ajo.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj tha se përmes faljes së 100 eurove të tatimit në pronë zvogëlohen të hyrat e komunave.

Lekaj: Përmes këtij projektligji do të zvogëlohen të hyrat e komunave

Nëse ky ligj vjen edhe i fal 100 euro për qytetarët e Kosovës, mendoj se shumica e komunave do të humbin. Kemi kundërshtuar këtë projektligj pasi i zvogëlon të hyrat e komunave”, tha Lekaj.

Duke iu kundërpërgjigjur deputetëve opozitarë, ministri Murati tha se përmes tatimit progresiv, synojnë që ndërtimtarët të cilët i mbajnë banesat pa i shitur, t’i lirojnë ato në treg

Murati: Ndërtimtarët të cilët i mbajnë banesat pa i shitur, t’i lirojnë ato në treg

Deri më tani çka ka ndodhë është që, sikur dikush që e ka pasur një banim primar, sikur dikush që i ka pasur 20 banesa si ndërtimtar e i ka mbajtur pa shitur – në mënyrë që të ndikojë në mungesë të ofertës dhe kësisoj ta mbajë çmimin e lartë – kanë paguar njësoj tatim. Këtë po tentojmë ta ndryshojmë. Në momentin që atij që i mban 20 banesa pa shitë, sepse do ta bllokojë tregun, i bëhet më shtrenjtë patjetër atëherë do t’i lëshoj ato në treg dhe kësisoj ndikon edhe në reduktimin e çmimit. Është pozitive për ata që kanë nevojë të blejnë banesa. Pra, do të mundësohet të ketë banim më të përballueshëm edhe për ta, sepse do të ketë ofertë më të madhe në treg sepse do të bëhet më shtrenjtë për t’i blloku stokun e banesave të pashitura...E di që për disa ndërtimtarë do të bëhet më vështirë, mirëpo ne e kemi premtuar si qeveri që sa i përket politikave tatimore do të ketë progresivitet”, tha Murati.

Votohet Projektligji, edhe për dy vjet vazhdohet njohja e statusit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Kuvendi e ka miratuar në lexim të parë Projektligji që e vazhdon edhe për dy vjet njohjen e statusit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Projektligjin e prezantoi ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili tregoi deri më 15 maj të vitit 2025 do të jetë afati për aplikim.

“Propozimi është që aplikimi për njohjen e statusit për të gjithë personat që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës të vazhdohet edhe për dy vjet, më konkretisht deri më 15 maj 2025”, tha ai. P

Kjo periudhë e propozuar u kundërshtua nga deputetët e opozitës.

Afati nuk duhet të jetë i zgjatur vetëm për dy vjet, duhet të jetë afat i lirë. Pavarësisht se kur viktima në çfarëdo rrethane ndihet i lirë për të adresuar çështjen e vet që e trajton atë si viktimë civile, procesi duhet të jetë i hapur dhe nuk duhet të ketë kufizime kohore”, theksoi deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.

Të njëjtën e mbështeti edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.

Nuk duhet me pas kufizime kohore, pasi nuk është kufizuar në Bosnje, Kroaci dhe asnjë vend. Po ashtu puna e komisionit brenda është shumë katastrofale, kemi viktima që nuk janë të kënaqur me anëtarët e këtij komisioni. Unë publikisht po kërkoj që të ndryshohet ky komision pasi shumë gra kanë hezitime me u paraqitë”.

Opozita vazhdon me protesta, s’i voton marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend

Partitë opozitare në Kuvend, PDK, LDK dhe AAK-së edhe të hënën i kanë vazhduar protestat kundër Qeverisë së Albin Kurti.

Kësisoj, opozita nuk kanë marrë fare pjesë në votimin e projektligjeve për marrëveshjet ndërkombëtare.

Për këtë bojkot, PDK ka paralajmëruar kohë më parë.

Detaje të tjera nga seanca priten të japen.

Krasniqi: Kuvendi s’duhet ta vazhdojë punën, e domosdoshme të shkojmë në zgjedhje

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, edhe njëherë e ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Ai në Kuvendin e Kosovës, kërkoi edhe nga partitë e pozitës, që përmes një mocioni të shpërndahet Kuvendi i Kosovës.

Ky Kuvend, të cilin në mandatin e juj nuk I punojnë as pajisjet, nuk duhet me vazhdu punën. Ju ftoj publikisht, të merremi vesh, ta bëjmë një mocion dhe ta shpërndajmë kuvendin, sepse kjo legjislaturë s’mundet të kalojë asgjë, as ligje as amendamente, mos të flasim për marrëveshje ndërkombëtare. Është bllokim i punëve të brendshme, e mos të flasim për izolimin e jashtëm që tashmë edhe me sanksione e keni sjellë Kosovën”, tha ai.

Krasniqi, tha se mandati duhet t’u kthehet qytetarëve sepse sipas tij ata nuk e kanë votuar këtë Qeveri për t’i dëmtuar raportet me ndërkombëtarët.

Do të ishte fer me qytetarët, me pas dakordim dhe me 2 të tretat, me ardhë solemnisht me shku në zgjedhje. Të ua kthejmë mandatin qytetarëve, le të vendosin, ata a janë të interesuar vërtetë që të vazhdojë Kosova në këtë rrugë që e keni dërgu. Kur ju kanë votu, nuk ju kanë votu për këtë konfrontim me aleatët ndërkombëtarë. Është e domosdoshëm të kemi dakordim politik të shkojmë në zgjedhje të reja”, ka thënë ai.

PDK-ja, sot gjatë ditës e ka bojkotuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, po ashtu në seancën që po mbahet ka refuzuar të marrë pjesë në votim për marrëveshjet ndërkombëtare.

Këto veprime vijnë si pasojë e raporteve jo të mira të Qeverisë së Kosovës, me ShBA-në dhe BE-në.

​Konjufca-opozitës: Mos më detyroni, mazhoranca voton me shku në zgjedhje

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka ironizuar me deputetët opozitarë në seancën e sotme plenare.

Pas dështimit të kalimit të një projektligji, deputetët e partive opozitarë kërkonin shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës, duke iu përgjigjur atyre, Konjufca duke ironizuar iu është drejtuar atyre që mos ta detyrojnë ta bëjë një gjë të tillë, pasi edhe mazhoranca voton me shku në zgjedhje.

Konjufca: Mazhoranca voton me shku në zgjedhje

“Mos më detyroni. Kjo është arsyeja që sot jeni ardh 90 deputetë a ? Pasi me dy të tretat, mos i provokoni mazhorancës se këta votojnë me shku në zgjedhje. Nesër zgjedhjet nuk munden me ndodh ato e kanë afatin. A po ju kujtohet parvjet me një emision çka iu pata thanë”, tha ai.

Pas krijimit të tensioneve në veri, Partia Demokratike e Kosovës po kërkon shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës për të organizuar zgjedhje të reja parlamentare, ndërkaq partia tjetër opozitare, AAK, ka nisur përpjekjet e saj për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat