Paralajmëron zyrtari i lartë gjerman: Kosova më afër konfliktit të hapur sesa Bosnja

Aktuale

Paralajmëron zyrtari i lartë gjerman: Kosova më afër konfliktit të hapur sesa Bosnja

Më: 10 korrik 2023 Në ora: 08:05
Milan Niç

Udhëheqësit e NATO-s pritet të konfirmojnë në samitin në Vilnius se situata në Kosovë është serioze dhe se misioni i NATO-s, KFOR, është atje për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe të pakicës serbe në veri, thotë Milan Niç, nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë.

Niç thotë se telashet do të ishin shumë më të mëdha nëse NATO-ja nuk do të ishte në Kosovë.

“Mendoj se [Kosova] është më afër një konflikti të hapur sesa Bosnja. Dhe është një nivel ndryshe i konfliktit, sepse keni sulme fizike ose konfrontime në veri, keni struktura paralele, keni shpërthime, ku një incident i vogël mund të çojë në diçka më të madhe.

KFOR-i mund të jetë aty për ta parandaluar shndërrimin e këtyre incidenteve në diçka më të madhe. Por, dua të theksoj se, pavarësisht krizës së re në Bosnje e Hercegovinë dhe të gjitha tensioneve, atje nuk ka konfrontime fizike.”, thotë Niç, ekspert për Ballkanin Perëndimor dhe zgjerimin e NATO-s.

Duke u ndalur te Serbia, ai thotë se presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq, mund ta luajë edhe për kohë të gjatë lojën “edhe Perëndimi, edhe Rusia”.

“Kam ndaluar së numëruari krizat midis Kosovës dhe Serbisë. Nuk janë të mira për asnjërën prej palëve. Po ua humbin durimin edhe Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë. Sepse, është një shpërqendrim nga gjëja kryesore që po ndodh në Evropë [lufta në Ukrainë] e që do ta përcaktojë edhe të ardhmen e Serbisë dhe Kosovës. Pra, është për keqardhje. Por, është edhe çështje e zgjedhjeve politike të të dy liderëve [Kosovës dhe Serbisë] se sa larg do të shkojnë me këto tensione dhe me veprime të njëanshme. Veprimet e njëanshme kanë ardhur më shumë nga Beogradi, por gjatë vitit të fundit edhe nga Prishtina.”

Për shkak të krizës në veri, Kosova është përjashtuar nga një stërvitje e madhe ushtarake, e udhëhequr nga SHBA-ja dhe aleatë të tjerë të NATO-s.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara, thjesht, kanë dashur të dërgojnë një sinjal se nuk mund të rrezikosh më shumë tensione pa pasoja.

Ai është pyetur se sa larg mund të shkojë NATO-ja me Kosovën, meqë misioni i saj është përgjegjës për sigurinë.

“Nëse flasim për samitin në Vilnius, mendoj se do të ketë një rikonfirmim në deklaratë se situata është serioze dhe se NATO-ja është atje për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve, përfshirë këtu edhe pakicën serbe në veri.

Është çështje e Qeverisë së Kosovës se deri në çfarë mase do që të jetë në aleancë me mbështetësit e saj kryesorë në Perëndim dhe t’i bashkërendojë me ta hapat diplomatikë edhe ndaj Serbisë. Sepse, në fund të fundit, ka të bëjë me koordinimin dhe ndërtimin e aleancave. Dhe historia e Qeverisë aktuale të Kosovës në këtë drejtim nuk është shumë e mirë.“

Ai ka folur edhe për kërkesën e Kosovës dhe Bosnjës për anëtarësim të përshpejtuar në NATO.

“Bosnja është shumë më përpara. Në fakt, Bosnja është edhe më përpara se ajo që Ukraina pritet të marrë nga samiti i Vilniusit, edhe më përpara se Gjeorgjia, e cila po ashtu ka kërkuar anëtarësim. Të mos harrojmë që Bosnja ka një plan veprimi për anëtarësim, edhe pse quhet me një emër tjetër. Por, hapat e ardhshëm të saj i ka bllokuar mungesa e unitetit midis Sarajevës dhe Banjallukës. Udhëheqja aktuale e Republikës Sërpska e ka bërë të qartë se nuk do më shumë përparim dhe më shumë integrim në NATO.

Rasti i Kosovës është më i komplikuar, sepse janë katër vende të NATO-s që nuk e njohin ende Kosovën si shtet. Por, gjithashtu, ajo ka bashkëpunim intensiv me NATO-n, por që tani është pauzuar, për shkak të veprimeve të përgjithshme të Qeverisë së Kosovës, në përgjigje të ngjarjeve të shëmtuara në veri.“, tha ai për REL.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat