MMPHI-ja refuzon kërkesën për ndërtimin e një memoriali për dëshmorë në Lipjan

Aktuale

MMPHI-ja refuzon kërkesën për ndërtimin e një memoriali për dëshmorë në Lipjan

Më: 10 korrik 2023 Në ora: 12:03
Foto ilustrim

Banorët e disa lokaliteteve të Lipjanit, shoqata e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe përfaqësuesit e bizneseve kanë marrë një iniciativë me vetëfinancim për ndërtimin e një Memoriali për dëshmorët e UÇK-së. Por, kërkesa e tyre dhe e Kuvendit Komunal për ndarjen e lokacionit në zonën kadastrave në fshatin Gjylagë, është refuzuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Kjo, për arsyeje se sipas vendimit të MMPHI-së, duhet të shikohet lokacioni i planifikuar sipas dokumenteve të planifikimit hapësinor në fuqi, pastaj vendimi i Kuvendit Komunal duhet të jetë i bazuar në dokumentet e planifikimit hapësinor sipas ligjit 04/L-174 për Planifikimin Hapësinor dhe sipas dokumenteve të tjera që janë të parapara me këtë ligj.

“Nuk lejohet destinim tjetër apo shfrytëzueshmëri tjetër nga ajo që është e paraparë me dokumentet e planifikimit hapësinor, pjesën tekstuale dhe pjesën grafike në fuqi sipas Ligjit NR.04/L-174 për Planifikimin Hapësinor”, thuhet midis të tjerash në vendimin e MMPHI-së dërguar komunës dhe iniciatorëve të projektit.

Në komunën e Lipjanit kanë thënë se sipas kërkesës së MMPHI-së është dashur të anulohet Vendimi i Kuvendit Komunal për ndarjen e lokacionit për ndërtimin e memorialit të Dëshmorëve në zonën e Kërçevës në zonën kadastrave në Qylagë.

Daut Azemi, kryesues i Kuvendit Komunal në Lipjan, ka thënë shkurt për KOHEN se kuvendarët u janë përgjigjur kërkesës së organizatorëve për ndërtimin e këtij memoriali, mirëpo sipas nivelit qendror derisa të miratohen hartat zonale nuk mund të vendoset për destinimin e një parcele të tillë.

“Në mbledhjen e fundit të Kuvendit e kemi futur si pikë shtesë dhe është anuluar vendimi për ndarjen e parcelës sipas propozimit të ministrisë. Pra sipas ministrisë nuk ka opsion tjetër derisa të futet në planin tonë zhvillimor ose në harta zonale”, ka thënë Azemi.

Besim Isufi, njëri ndër organizatorët për ndërtimin e këtij memoriali, ka thënë se këshilli organizativ ka kërkuar zyrtarisht nga komuna që ta ndajë një pjesë të parcelës komunale në zonën kadastrave në fshatin Qylagë me sipërfaqe prej 2880 metra katrorë, për ngritjen e një memoriali për dëshmorët e UÇK-së.

Sipas tij, pas përfundimit të të gjitha procedurave nga Kuvendi Komunal i Lipjanit, vendimi është anuluar nga MMPHI-ja dhe ndërkohë është obliguar edhe Kuvendi Komunal ta anulon vendimin e vet për ndarjen e parcelës.

“Në kuadër të projektit tonë për ndërtimin e këtij kompleksi apo memoriali do të përfshihen edhe istikamet e ushtarëve të UÇK-së në vendin e quajtur Kërçevë. Kërkojmë nga institucionet përkatëse që për hir të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës të na lejojnë ndërtimin e këtij projekti sepse ky projekt kujton të kaluarën e lavdishme të UÇK-së. Pra, edhe ku projekt planifikohet të ndërtohet me vetkontribut nga bizneset, shoqatat e dala nga lufta dhe donator të tjerë vullnetarë, prandaj është një projekt në të mirë të të gjithë qytetarëve për t’i kujtuar dëshmorët dhe historinë e ushtarëve të UÇK-së”, ka thënë midis të tjerash Isufi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat