​Viktimat e dhunës në familje po hasin në vështirësi për të raportuar rastin

Aktuale

​Viktimat e dhunës në familje po hasin në vështirësi për të raportuar rastin

Më: 10 korrik 2023 Në ora: 13:22
Foto nga vendi i ngjarjes

Viktimat e dhunës në familje po përballen me stigmë shoqërore, vështirësi për të raportuar dhunën, abuzim psikologjik dhe pamundësi për t’u riintegruar. Kështu u tha në konferencën “Të kuptuarit e peizazhit institucional: Vlerësimi i dhunës me bazë gjinore në Kosovë”, ku u prezantuan të gjeturat nga intervistat dhe anketat e realizuara me zyrtarë komunal. Aty u tha se mbetet shqetësues numri i raportimeve të dhunës, e po ashtu edhe rastet që po përfundojnë me fatalitet.

Ky projekt po zhvillohet nga Solidar Suisse SEE dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore.

Menaxherja e projektit “Solidar Suisse SEE”, Firdeze Bekteshi-Ukaj tha se ky projekt është impelementuar në Prishtinë, Prizren, Kamenicë, Mitrovicës, Gjakovës dhe Gjilanit. Ajo shtoi se qëllimi i konferencës është prezantimi i këtij projekti, i cili paraqet një peizazh të qëndrimeve institucionale.

Bekteshi-Ukaj: Synohet ndërgjegjësimi i publikut se dhuna ndaj grave është shkelje e të drejtave të njeriut

“Ka filluar së implementuari që nga muaji janar i vitit 2023, ndërsa përfundon në dhjetor të vitit 2025. Janë dy objektiva të parapara, objektiva e parë synon që të ndërgjegjësojë publikun e gjerë dhe komunitetin se dhuna ndaj grave është shkelje e të drejtave të njeriut dhe se çdo individ inkurajohet ta sfidojë atë. Ndërsa, objektivi i dytë i këtij projekti është promovimi i zbatimit të masave efektive për parandalimin dhe luftimin e dhunës së bazuar në gjini, si në nivel lokal, po ashtu edhe në nivel nacional. Janë paraparë aktivitete të shumta të cilat janë përmbledh në tri komponenta. Komponenta e parë parasheh zhvillimin e dy studimeve-studimin bazë dhe përfundimtar të projektit në të cilën pritet që të ofrohet një peizazh i gjerë i botëkuptimeve, qëndrimeve dhe pikëpamjeve institucionale”, tha ajo.

Koordinatorja e “Solidar Suisse SEE”, Syzane Baja theksoi se synim kanë që të punohet për një shoqëri të barabartë dhe çdo njeri të pranohet.

Baja: Jemi të interesuar për shoqëri të barabartë

“Ne jemi të interesuar si Solidar Suisse që vizionin tonë ta qojmë përpara që ta kemi një shoqëri të barabartë, jo vetëm në aspektin ekonomik por social dhe dinjitoz. Që çdo njeri ta ketë të drejtën e vet, të pranohet siç është në forma të ndryshme dhe aspekte të ndryshme”, theksoi Baja.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli tha se mbetet shqetësues numri i raportimeve të dhunës me bazë gjinore.

Demolli: Shqetësimi kryesor është raportimi i dhunës

"Shqetësimi kryesor i jonë është numri i raportuar, sepse përpos që raportohen në polici, mendojmë që nuk është rritur vetëm raportimi por është rritur edhe dhuna. Edhe ky projekt, edhe hulumtimi na bën me dije që duhet ende punë në praktikë dhe një bashkëpunim më i madh mes komunave... (17:00) Shpesh herë humbim edhe jetë të grave për shkak që përveç që dhuna është prezentë, janë edhe pabarazitë tjera dhe diskriminimi tjetër që gratë përjetojnë dhe është shumë vështirë”, deklaroi Demolli.

Ekspertja Nora Jusufi tha se pandemia COVID-19, ka krijuar sfidë të re, në trajtimin e dhunës me bazë gjinore. Ajo foli edhe për llojet e dhunës që po përjetojnë gratë, ku tha se më shumë se 95 për qind e dhunuesve janë meshkuj.

Në gjashtë komunat ku po realizohet projekti, Jasufi tha se kanë realizuar anketa me zyrtarët komunal.

Jasufi: Mungesa e edukimit të qytetarëve për të drejtat e grave, shkak i dhunës

Sipas tyre shkaqet e zakonshme të dhunës me bazë gjinore përfshijnë dhunën në familje, në përgjithësi, sidomos në aspektin e abuzimit apo dhunës psikologjike dhe ekonomike. Po ashtu, struktura patriarkale apo vlerat tradicionale që i kemi në vend. Po ashtu, e shohin ndoshta edhe tranzicionin prej paraluftës në të pasluftës, ndoshta nga një kulturë më tradicionale me një kulturë më moderne, krijimi i një sistemi socio-ekonomik më ndryshe dhe ata mendojnë që ky tranzicion ka mund të ndikojë në rritjen e dhunës me bazë gjinore. Po ashtu, mungesa e edukimit të qytetarëve për të drejtat e grave si dhe cenueshmëria ekonomike apo vulnerabiliteti ekonomik dhe varësia prej bashkëshortëve që ato e kanë në aspektin financiar apo ekonomik”, tha Jasufi.

Edhe në intervistat e realizuara, ajo tha se nënvizohet vështirësia për t’i bindur gratë që të raportojnë dhunën.

Në paraqitjen e të gjeturave nga gjashtë intervistat, Jusufi listoi disa nga faktorët që ndikojnë në mos-raportimin e dhunimit dhe pengesat që kanë gratë e dhunuara.

Jasufi: Frika nga përjashtimi social dhe pamundësia për tu riintegruar në shoqëri

"I kemi pyetur se cilat mendojnë që janë pengesat kryesore me të cilat përballen viktimat e dhunës me bazë gjinore edhe këtu e kanë listuar stigmën shoqërore, pasojat negative, vështirësinë për të raportuar dhunën, është cekur abuzimi psikologjik i cili është më vështirë se nuk është e prekshme dhe lehtë e dëshmueshme si dhuna fizike, frika nga përjashtimi social, pamundësia për tu riintegruar në shoqëri, shqetësimet për sigurinë e fëmijëve dhe ruajtjes së harmonisë familjare, mungesa në besimin e sistemit të drejtësisë dhe varësia financiare nga autorit që i qon në kthim prapë pas raportimit", përfundoi Jasufi.

Kjo konferencë është pjesë e projektit “Parandalimi i dhunës me bazë gjinore përmes edukimit dhe ngritjes së vetëdijes”, i zbatuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe Solidar Suisse SEE, e që mbështetet nga Bashkimi Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat