Kryeministri Kurti vizitoi Ipeshkvinë e Kosovës, u mirëprit nga Ipeshkvi imzot Dodë Gjergji

Aktuale

Kryeministri Kurti vizitoi Ipeshkvinë e Kosovës, u mirëprit nga Ipeshkvi imzot Dodë Gjergji

Më: 10 korrik 2023 Në ora: 13:24
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Ipeshkvinë e Kosovës, ku u mirëprit nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Dodë Gjergji dhe Don Lush Gjergji.

Në takim ata folën për Ligjin për Liritë Fetare, për bashkëpunimin e ndërsjellë, për kontributin e Kishës Katolike për paqe midis njerëzve dhe bashkim të njerëzve, dhe për nevojën e rregullimit të statusit juridik të Kishës Katolike në Kosovë.

Kryeministri Kurti me këtë rast falënderoi udhëheqësit e Ipeshkvisë së Kosovës për bashkëpunimin e afërt, kontributin e vazhdueshëm, dhe rolin e rëndësishëm të tyre.

Ata gjithashtu biseduan edhe për vizitën e fundit që kryeministri Kurti zhvilloi në Vatikan, ku u prit nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku dhe Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinali Pietro Paroli. Kryeministri ndau me Ipeshkvin, imzot Dodë Gjergji dhe Don Lush Gjergji mbresat e tij nga vizita në Vatikan dhe nga takimi me shenjtërinë e tij, Papa Françesku.

Me 22 qershor, kryeministri Kurti kishte realizuar vizitën e tij të parë zyrtare në Vatikan. Në takimin me shenjtërinë e tij, Papa Françeskun, kryeministri Kurti kishte biseduar për rininë dhe ardhmërinë, për figurën, veprën dhe trashëgiminë e Nënës Terezë, për Letnicën e Vitisë ku asaj i erdhi thirrja për devocion, dhe për bashkëjetesën multi-fetare në Kosovë, si dhe e kishte ftuar atë që ta vizitojë Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat