Ky është zyrtari i arrestuar në Gjilan, dyshohet se mundësoi transportimin ilegal të druve nga Serbia

Aktuale

Ky është zyrtari i arrestuar në Gjilan, dyshohet se mundësoi transportimin ilegal të druve nga Serbia

Më: 11 korrik 2023 Në ora: 09:15
Ilustrim

Një hetim disa mujor i Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore atje, ka rezultuar me identifikimin e një zyrtari që dyshohet se ka keqpërdorur detyrën e tij. I njëjti tashmë është arrestuar dhe ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Ali Zylfijaj, i cili po dyshohet se duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij ligjore, u ka mundësuar dy transportuesve, që në mënyrë të kundërligjshme të transportojnë dru të cilat dyshohet se kanë hyrë ilegalisht nga Serbia në Kosovë.

Sipas Policisë, Zylfijaj dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare kishte damkosur drunjtë, si dhe kishte lëshuar fletë përcjelljet në mënyrë ilegale.

I dyshuari është arrestuar gjatë ditës së djeshme dhe më pas është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë për dyshimet e ngritura ndaj tij.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Zylfijaj është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe brenda afatit ligjor pritet të ushtrohet edhe kërkesa për caktimin e masës së sigurisë.

Ndryshe, Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh se “Personi zyrtar, i cili duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që t’i shkel të drejtat e personit tjetër, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat