​Seancë private në Hagë, mbrojtja e Selimit merr në pyetje dëshmitarin e prokurorisë

Aktuale

​Seancë private në Hagë, mbrojtja e Selimit merr në pyetje dëshmitarin e prokurorisë

Më: 11 korrik 2023 Në ora: 10:49
Seanca

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon të dëgjohet dëshmitari i dymbëdhjetë në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai është duke u intervistuar nga mbrojtja e Rexhep Selimit në seancë të mbyllur për publikun.

Dëshmitari i mbrojtur bën pjesë në grupin e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mban kodin 4337.

Dëshmia e tij ka filluar të hënën dhe është lëshuar për transmetim publik vetëm një pjesë e shkurtë e saj.

Aty është bërë e ditur se dëshmitari është një shqiptar i Kosovës i cili sipas prokurorisë ishte bujk gjatë periudhës së vitit 1998.

Ai pretendon se në atë periudhë, disa pjesëtarë të UÇK-së e kishin marrë nga shtëpia e tij, sipas tij për ta mbajtur e keqtrajtuar pastaj për një muaj.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi po e dëgjojnë dëshminë e tij në gjykatore, ndërsa Jakup Krasniqi po e përcjellë atë përmes video-lidhjes.

Në këtë proces gjyqësor deri tani kanë dëshmuar njëmbëdhjetë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur duke mos u bërë i ditur identiteti i tyre dhe seancat janë zhvilluar tërësisht të mbyllura për publikun.

Gjykimi ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të tyre.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat